Legjenda e Juventusit i ka dy fjalë për Edon Zhegrovën

Futboll

Legjenda e Juventusit i ka dy fjalë për Edon Zhegrovën

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 12:05
Futbollisti Edon Zhegrova

Paolo Montero, një prej mbrojtësve më luftarakë në historinë e Juventusit, ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për Edon Zhegrovën, duke e cilësuar futbollistin kosovar si një lojtar të tipit brazilian.

Ish-mbrojtësi uruguaian, i njohur për ndërhyrjet e ashpra dhe duelet e forta me sulmuesit kundërshtarë, pranoi se përballja me Zhegrovën nuk do të ishte aspak e lehtë, sidomos kur anësori kosovar merr topin dhe niset drejt kundërshtarit.

“Më pëlqen. Është një lojtar i tipit brazilian. Tani, sa herë që futet në lojë, duhet ta rrisë minutazhin. E kam parë në Francë dhe mendoj se duhet të kemi durim”, deklaroi Montero, shkruan “Goal”.

Ai theksoi se Zhegrova ka nevojë për kohë për t’u përshtatur plotësisht me Juventusin, duke kujtuar se edhe futbollistë të mëdhenj kanë pasur vështirësi në fillimet e tyre në Torino.

“Kur Zidane erdhi në Torino, në janar Juventusi dëshironte ta largonte. Pastaj e pamë se çfarë lojtari u bë. Nuk është e lehtë të përshtatesh me ndryshimet. Fanella e Juventusit peshon shumë.

Ne duam gjithçka menjëherë dhe Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, u shpreh ish-mbrojtësi.

I pyetur se si do ta ndalte Zhegrovën nëse do të përballeshin në fushë, Montero ishte i sinqertë për vështirësinë e një dueli të tillë.

“Do të ishte e vështirë. Kur të del përballë dhe niset drejt teje, është e komplikuar. Duhet ta shikosh gjithmonë topin dhe jo lojtarin. Nëse vepron kështu, ndonjëherë arrin ta marrësh topin. Përndryshe, ai nuk të kalon”, tha Montero.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat