Manchester City mund të përballet me një tjetër hetim për financat e tij.
Disa klube të Premierligës po kërkojnë që të hapet një proces i ri hetimor ndaj kampionit anglez, këtë herë duke u fokusuar në periudhën pas vitit 2018.
Sipas gazetës “The Independent”, drejtuesit e disa klubeve rivale kanë dyshime se marrëveshjet e sponsorizimit që ishin në qendër të hetimit të mëparshëm nuk kanë ndryshuar as pas vitit 2018.
Për këtë arsye, ata kërkojnë që të shqyrtohen edhe vitet pasuese.
Megjithatë, brenda Premierligës nuk ka një qëndrim të përbashkët.
Disa klube hezitojnë të nisin një tjetër betejë të gjatë ligjore, nga frika se kjo mund ta dëmtojë edhe më shumë imazhin e kampionatit anglez.
Një tjetër problem është sigurimi i provave të mjaftueshme për të mbështetur akuza të reja.
Ndërkohë, Manchester City vazhdon t’i kundërshtojë përfundimet e procesit të mëparshëm dhe mohon çdo shkelje.