Planet e Dalipit, rikthimi te Young Boys, por jo te Kombëtarja e Zvicrës?

Futboll

Planet e Dalipit, rikthimi te Young Boys, por jo te Kombëtarja e Zvicrës?

Më: 6 nëntor 2026 Në ora: 11:03
Futbollisti shqiptar, Lutfi Dalipi, është në qendër të vëmendjes

Futbollisti shqiptar, Lutfi Dalipi, është në formën më të mirë të mirë të mundshme dhe ditëve të fundit në qendër të vëmendjes së mediave zvicerane.

Sipas mediumit zviceran, SFR, në repartin ofensiv të Vaduzit gjithçka sillet rreth Lutfi Dalipit. Talenti 20-vjeçar duket se i ka të qarta edhe planet për të ardhmen.

Trajneri i Vaduzit, Marc Schneider, ka zbuluar se klubi e kishte ndjekur Dalipin për më shumë se dy vjet e gjysmë, ndërsa transferimi u realizua gjatë verës.

Futbollisti ofensiv u transferua në formë huazimi nga Young Boys (YB) te skuadra nga Lihtenshtajni dhe pati ndikim.

Në 12 ndeshjet e para të kampionatit, Dalipi ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime. Vetëm sulmuesi i Young Boys-it, Samuel Essende, ka regjistruar më shumë kontribute në gola.

“Përparësia ime më e madhe është kreativiteti”, ka deklaruar Dalipi.

Ai zbulon edhe sekretin e paraqitjeve të mira: “Më pëlqen ajo që bëj në fushë. Gjithashtu, e kam besimin e trajnerit dhe të stafit”.

Trajneri Schneider i jep liri të plotë në fushë, duke i mundësuar të lëvizë sipas dëshirës.

Megjithatë, talenti shqiptar e pranon se ka ende hapësirë për përmirësim.
“Në aspektin fizik mund të përmirësohem edhe më shumë. Gjithashtu, duhet të punoj edhe në efikasitetin tim”, ka thënë ai.

Rikthimi te Young Boys?

Është e qartë se një talent i tillë nuk do të qëndrojë përgjithmonë te Vaduz. Huazimi i tij përfundon verën e ardhshme dhe, fillimisht, është planifikuar rikthimi te Young Boys në Bernë.

“Gjithmonë kam thënë se synimi im është që një ditë të luaj për Young Boys”, ka deklaruar Dalipi.

Pas paraqitjeve të shkëlqyera, futbollisti nga Freiburgu ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të huaja.

Megjithatë, ai nuk dëshiron të zbulojë nëse po mendon për një transferim jashtë Zvicrës.

“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Për momentin jam plotësisht i përqendruar te Vaduz”, është shprehur ai.

Me gjasë jo për Kombëtaren e Zvicrës

Pas një fillimi të shkëlqyer të sezonit, në qendër të vëmendjes ka ardhur edhe e ardhmja e tij me Kombëtaren.
Dalipi, përveç Zvicrës, ka të drejtë të luajë edhe për Portugalinë, Shqipërinë ose Kosovën. Deri më tani, ai ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Zvicrës, nga U18 deri te U21.

Megjithatë, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, aktualisht nuk sheh hapësirë për të në kombëtaren A.
Këtë e bëri të qartë të enjten, gjatë konferencës për media me rastin e publikimit të listës së futbollistëve të ftuar, kur u pyet për mundësinë e përfshirjes së Dalipit.

“Për momentin kemi një numër të madh alternativash në mesfushë. Për këtë arsye, do të jetë e vështirë të përfshihet në listën e Kombëtares”, ka deklaruar Yakin.

Për më tepër, duket se Dalipi nuk ka ndërmend të luajë për Zvicrën.

Sipas gazetës zvicerane “Blick”, ai ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë ose Kosovën. Këtë vendim ia kishte premtuar gjyshit të tij.

Se vendimi tashmë është marrë, e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti, por pa zbuluar se cilën Kombëtare ka zgjedhur.

“Do të bëhet e ditur më vonë se për cilën Kombëtare do të luaj”, ka deklaruar Dalipi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat