Dysli e pandalshme, Young Boys e dërgon drejt fitores së gjashtë radhazi

Futboll

Dysli e pandalshme, Young Boys e dërgon drejt fitores së gjashtë radhazi

Më: 6 nëntor 2026 Në ora: 21:22
Vashat e Young Boysit festojnë fitoren

Vashat e Young Boysit e mposhten Baselin me rezultat 3:1, në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Zvicrës.

Për skuadrën nga Berna, kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në kampionat, që i mundësoi edhe marrjen e përkohshme të kreut të tabelës.

Heroina e ndeshjes ishte Bianca Dysli, e cila u inkuadrua nga banka rezervë dhe u shndërrua menjëherë në lojtaren vendimtare për skuadrën e saj.

Në temperatura shumë të ulëta në stadiumin Wankdorf të Bernës, Dysli nuk kishte nevojë për shumë kohë për t'u përshtatur me lojën. Vetëm tri minuta pas inkuadrimit në fushë, në minutën e 65-të, ajo shënoi për 2:1, duke i dhënë epërsinë YB-së. Në minutat e fundit, ajo realizoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren e skuadrës vendase.

Për YB, kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në kampionat dhe një tjetër dëshmi e formës së mirë që po kalon skuadra. Deri më tani, bernezët kanë pësuar vetëm një humbje këtë sezon, pikërisht nga Baseli, me rezultat 0:2.

Edhe në këtë përballje, Baseli ishte pranë befasimit. Pas golit të hershëm të YB-së, të shënuar me kokë nga Maria Jimenez në minutën e dytë, mysafiret arritën të barazonin në minutën e 28-të me Jacqueline Hand.

Madje, në pjesën e parë, futbollistet e Baselit krijuan edhe disa mundësi të mira për të kaluar në epërsi, por nuk arritën t'i konkretizonin rastet.

Edhe një episod i diskutueshëm për VAR-in

Fitorja e YB-së erdhi edhe pas një episodi të diskutueshëm në minutën e 52-të. Sulmuesja e skuadrës vendase, Malaurie Granges, ishte nisur e vetme drejt portës së Baselit, por gjyqtarja anësore ngriti flamurin, duke sinjalizuar pozicion jashtë loje.

Megjithatë, përsëritjet televizive treguan se Granges ishte nisur nga gjysma e fushës së ekipit të saj dhe, për këtë arsye, nuk mund të ishte në pozicion jashtë loje.

Në Superligën e Femrave në Zvicër nuk aplikohet sistemi VAR, ndaj vendimi i gjyqtares anësore mbeti në fuqi.
Kështu, YB arriti një fitore të rëndësishme 3:1, ndërsa Bianca Dysli u shndërrua në protagonisten kryesore të takimit me dy golat e saj.

Për Baselin, kjo ishte ndeshja e dytë radhazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat