Egnatia pret sonte në Rrogozhinë Vorën, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 11-të të “Abissnet Superiore”.
Prag sfidës e cila është e përcaktuar të nisë në orën 18:00, ka folur për mediat dhe trajneri i rrogozhinasve, Nevil Dede, i cili ka prekur gjendjen aktuale të skuadrës pas transfertës në Rumani, ajo çfarë pritet me Vorën në fushë dhe statistikat në klasifikim.
Si duket skuadra juaj pas ndeshjes në Craiova, në aspektin fizik dhe atë psikologjik?
Gjendja e ekipit mendoj që është e mirë. Normal, nuk është perfeksioni. Fizikisht, lojtarët janë të lodhur pak, kjo është evidente. Luajmë çdo 3 ditë.
Por, prapë çunat meritojnë komplimente. Në anën psikologjike, nuk është se po vuajmë. Jemi në një fazë ku po shijojmë kompeticionin, si kampionatin ashtu edhe Conference Leaguen. Dhe besoj që djemtë nesër do të mundohen të jenë gjithmonë më e mira e versionit të tyre.
Çfarë note do e vlerësonit ekipin në fazën e parë?
Ka filluar e dyta. E kemi mbyllur me fitore. Besoj që djemtë meritojnë një notë pozitive edhe për faktin që janë edhe në vendin e parë, kanë bërë 21 pikë për 9 javë, më shumë se sa gjithë të tjerat dhe çelëm edhe fazën e dytë, po me fitore përballë Tiranës në transfertë jo i lehtë. Jo më larg se sot (dje) treguan që janë shumë të fortë, duke justifikuar edhe historinë që ata kanë.
Vora, kundërshtari i radhës?
Vora unë mendoj që është një skuadër shumë simpatike. Luan mirë futboll. Ka një moshë mesatare të re. E ndërtuar edhe me lojtarë me eksperiencë. Të jem i sinqertë nuk është se kam shumë informacion për gjendjen e të gjithë grupit të lojtarëve të tyre.
Por vendi i 5-të në renditje meriton komplimente, përpos investimeve seroze që kanë, jo vetëm në strukturë, por edhe mënyrën se si luajnë lojtarët, perspektiva që ata kanë në të ardhmen. Unë mendoj që është një ndeshje shumë delikate.
Kam folur me djemtë edhe para stërvitjes. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë të shfaqim mentalitetin e duhur, përqëndrimin e duhur dhe kjo përkthehet pastaj me rendiment dhe interpretim në fushë në mënyrën e duhur siç të gjithë janë mësuar të shohin Egnatian.
Ajo që më intereson është që me Vorën është një ndeshje delikate. Shumë e vështirë. Jo se luan në shtëpi. Nuk është që po bëj hipokritin të them të vërtetën. Duhet të vazhdojmë të përballemi në të dyja kompeticionet siç ishim para dy ditësh në Rumani që me të drejtë e pësuam humbjen. Mund të bënim më mirë. Por tani duhet t’i kthehemi kampionatit. Dhe ne duhet të motivohemi, sidomos para tifozëve tanë është shumë e rëndësishme.
Golavarazhi, janë shënuar 20, janë pësuar 9?
Më vjen mirë që jemi të parët në renditje për golat e shënuar. Duhet të kishim shfrytëzuar edhe shumë situata, por edhe raste që kemi krijuar. Por gjithsesi duhet të pranojmë verdiktet që futbolli na jep dhe atë që ne japim në fushë. Normalisht që mundohemi të punojmë në të dyja aspektet. Si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Por një skuadër që ka një ngarkesë kaq të madhe. Ndodh edhe që të humbasim përqëndrimin. Në momente të caktuara kemi pësuar edhe gola që mund t’i evitonim. Në fund fare unë jam i parimit që nëse shënojmë një gol më shumë se kundërshtari është gjë pozitive.