Lugano ka pësuar humbjen e parë në këtë edicion të Superligës zvicerane, duke u mposhtur me rezultat të thellë 5:0 në udhëtim te St. Galleni.
Skuadra nga Ticino përjetoi një pasdite të vështirë, ku gjithçka shkoi kundër saj. Përjashtimi i hershëm i sulmuesit shqiptar Albian Ajeti dhe lëndimi i portierit David von Ballmoos ndikuan dukshëm në rrjedhën e takimit.
Te St. Galleni, Betim Fazliji u inkuadrua në lojë në minutën e 76-të, ndërsa Leon Frokaj në minutën e 80-të.
Në anën tjetër, për Luganon nga minuta e parë u paraqitën Albian Ajeti dhe Uran Bislimi. Bislimi u zëvendësua në minutën e 80-të. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe Ezgjan Alioski.
Ajeti përjashtohet në minutën e 11-të
Momenti që ndikoi ndjeshëm në fatin e ndeshjes ndodhi që në minutën e 11-të. Sulmuesi shqiptar Albian Ajeti ndërhyri rrezikshëm ndaj Hugo Vandermerschit, duke e goditur në këmbë me taka të hapura.
Gjyqtari Sven Wolfensberger nuk hezitoi dhe i tregoi menjëherë kartonin e kuq futbollistit të Luganos.
Problemet për mysafirët vazhduan edhe në minutën e 26-të, kur portieri David von Ballmoos u lëndua pa kontakt me ndonjë kundërshtar dhe u detyrua të largohej nga fusha.
Dy gola brenda vetëm 13 sekondave
Pas gjysmë ore lojë, St. Galleni shfrytëzoi epërsinë numerike dhe realizoi dy gola brenda vetëm 13 sekondave.
Fillimisht, Chima Okoroji shënoi për 1:0 pas një kombinimi të bukur me Lukas Daschnerin.
Pa kaluar shumë kohë, Lugano pësoi edhe golin e dytë. Lukas Görtler ndërpreu një pasim të dobët të Lukas Mait, ndërsa Daschner asistoi për Andrin Hunzikerin, i cili realizoi për 2:0.
St. Galleni nuk ndalet, fiton 5:0
Vendasit vazhduan dominimin dhe në minutat shtesë të pjesës së parë shënuan edhe golin e tretë. Tom Gaal realizoi me kokë pas harkimit të Lukas Görtlerit.
Në pjesën e dytë, Andrin Hunziker shënoi golin e dytë personal në minutën e 66-të, duke e çuar rezultatin në 4:0.
Rezultatin përfundimtar 5:0 e vendosi Leon Frokaj në minutën e 84-të, me një goditje nga distanca.
Lugano pati vetëm disa tentativa për të rrezikuar portën vendase. Rasti më i mirë ishte goditja me kokë e Joel Bichselit, e cila përfundoi në shtyllë në minutën e 64-t.
Lugano mbetet lider me gjashtë pikë epërsi
Pavarësisht humbjes së rëndë, Lugano vazhdon të kryesojë tabelën e Superligës zvicerane me 34 pikë, gjashtë më shumë se ndjekësi i parë, Young Boys. Në anën tjetër, St. Galleni renditet në vendet e para të gjashtëshes, me 22 pikë.
St. Galleni po kalon një periudhë shumë të mirë, pasi kjo ishte fitorja e katërt në pesë ndeshjet e fundit.
Ndeshjet e ardhshme
Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Lugano do të luajë më 21 nëntor, në orën 18:00, në shtëpi kundër Grasshoppersit.
St. Galleni do të udhëtojë një ditë më vonë drejt Cyrihut, ku më 22 nëntor, në orën 14:00, do të përballet me FC Zurichun.