Freiburgu ka shënuar fitoren e katërt radhazi në të gjitha garat, duke mposhtur Union Berlinin me rezultat 2:0, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Bundesligës gjermane.
Skuadra vendase ishte dukshëm më e mirë gjatë gjithë takimit, ndërsa Union Berlini nuk arriti të krijonte shumë raste të rrezikshme.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, pavarësisht rasteve të mira të Freiburgut. Yuito Suzuki dhe Igor Matanoviq rrezikuan disa herë, por portieri Frederik Rönnow ishte në nivel të lartë.
Në minutën e 55-të, Freiburgu kaloi në epërsi pas një autogoli të Rani Khediras. Futbollisti i Union Berlinit, në përpjekje për të larguar topin pas një harkimi të Beste, e dërgoi atë në portën e skuadrës së tij për 1:0.
Në minutën e 67-të, Yuito Suzuki dyfishoi epërsinë. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një asistimi të shkëlqyer nga Scherhant, futbollisti japonez e mposhti Rönnow me një goditje mbi portierin për rezultatin 2:0.
Freiburgu pati mundësinë të shënonte edhe golin e tretë, por në minutën e 84-t Rönnow priti penalltinë e ekzekutuar nga Vincenzo Grifo.
Me këtë fitore, Freiburgu forcon pozitën e tretë (19 pikë) në tabelë dhe mbetet vetëm dy pikë larg Bayern Munihut dhe Borussia Dortmundit.
Në anën tjetër, Union Berlini vazhdon të vuajë në pjesën e poshtme të tabelës (në vend të 16-të me 7 pikë), duke regjistruar vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit.