Në fokus Kombëtarja dhe sfidat vendimtare të nëntorit

Futboll

Në fokus Kombëtarja dhe sfidat vendimtare të nëntorit

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 15:31
Kombëtarja shqiptare gjatë stërvitjeve

Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV i kushtoi vëmendje të veçantë Kombëtares shqiptare, e cila do të zbresë nesër në fushë për përballjen e parë të muajit nëntor ndaj Finlandës, në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë kanë përmbyllur përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe “Air Albania”, në prag të një sfide me rëndësi të veçantë për objektivin e tyre në UEFA Nations League.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetari dhe komentatori sportiv Sokol Xhihani dhe ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua llogarive të Shqipërisë në grupin e saj, me kuqezinjtë që sigurojnë vendin e parë edhe në rast se dy ndeshjet e fundit ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë përfundojnë në barazim. Të ftuarit analizuan gjithashtu listën e trajnerit Maran për dy sfidat e nëntorit, zgjedhjet e teknikut dhe risinë e grumbullimit, Ysni Ismailin, i cili ka marrë ftesën e parë me Kombëtaren A. Për FSHF TV, Ismaili ndau emocionet e tij për këtë grumbullim dhe pritshmëritë për aventurën me kuqezinjtë.

Vëmendje mori edhe atmosfera që pritet të krijohet në stadiumin “Air Albania”, pasi ndeshja Shqipëri–Finlandë është sold out. Tifozët shqiptarë pritet të mbushin shkallët e stadiumit dhe të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme në mbështetje të Kombëtares, në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit në UEFA Nations League.

Në emision u diskutua edhe raporti i UEFA-s për Fair Play, ku Shqipëria rezulton vendi me progresin më të lartë në Europë, një tregues pozitiv për zhvillimin e futbollit dhe përmirësimin e standardeve në këtë drejtim.

Një tjetër hapësirë iu kushtua ekipeve të tjera kombëtare. Kombëtarja U-21 ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet miqësore të nëntorit ndaj Luksemburgut dhe Spanjës, ndërsa u diskutua lista e trajnerit Alban Bushi dhe përgatitjet e skuadrës për këto dy përballje. Ndërkohë, Kombëtaret U-17 dhe U-19 kanë nisur angazhimin në raundet kualifikuese të Kampionatit Europian.

Në fokus ishte edhe java e 11-të e kampionatit “Abissnet Superiore”, me një analizë të përgjithshme të zhvillimeve dhe rezultateve të fundit. Egnatia, Tirana, Skënderbeu, Vllaznia dhe Partizani arritën të marrin tri pikët në ndeshjet e tyre, duke vijuar garën në kampionat.

Në fund, emisioni solli në vëmendje edhe inaugurimin e stadiumit të Gramshit, një tjetër zhvillim në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të kushteve më të mira për futbollin në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat