Real Madridi po përgatitet për një tjetër sezon rekord në aspektin financiar.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “AS”, klubi madrilen synon të arrijë rreth 1.4 miliardë euro të ardhura gjatë këtij sezoni, duke tejkaluar shifrën prej 1.221 miliardë eurosh të regjistruar në sezonin e kaluar.
Një nga burimet kryesore të këtij përfitimi pritet të jetë stadiumi Santiago Bernabeu.
Madrilenët synojnë që të ardhurat komerciale të lidhura me stadiumin të arrijnë në 420.1 milionë euro.
Përfitimet pritet të rriten edhe më shumë nga janari, kur infrastruktura e rinovuar do të shfrytëzohet për aktivitete komerciale, argëtuese dhe organizimin e ngjarjeve të ndryshme.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme janë sponsorët. Real Madridi pret rritje prej 22 për qind të të ardhurave nga kjo kategori, falë marrëveshjeve me kompani si Adidas dhe Emirates, si dhe partneriteteve të reja me Hotels.com dhe Uber Eats.
Ndërkohë, janë rinovuar edhe bashkëpunimet me Orange dhe San Miguel.
Edhe akademia e klubit në Valdebebas po shndërrohet në një burim të rëndësishëm financiar.
Shitjet e futbollistëve të rinj, përfshirë Gonzalo Garcian, Nico Pazin, Cesar Palaciosin, Jacobo Ortegan dhe Victor Munozin, pritet t’i sjellin klubit rreth 154.8 milionë euro gjatë këtij viti financiar.
Real Madridi synon gjithashtu të mbyllë vitin me 14.2 milionë euro fitim neto, duke vazhduar forcimin e pozitës së tij si një prej klubeve më të fuqishme financiarisht në botë.