Jude Bellingham vazhdon të pasurojë koleksionin e tij të makinave luksoze, pavarësisht se nuk ka ende patentë shoferi dhe nuk di të ngasë një automjet.
Ylli i Real Madridit dhe i kombëtares angleze ka shtuar në garazhin e tij një Lamborghini Urus Performante, me vlerë rreth 250 mijë euro.
Sipas “The Sun”, futbollisti 23-vjeçar zotëron tashmë shtatë automjete luksoze, vlera totale e të cilave llogaritet në rreth 1.26 milionë euro.
Lamborghini është një nga makinat më të shtrenjta të koleksionit të tij, por Bellingham nuk mund ta përdorë vetë.
Në një intervistë për revistën “British Vogue”, mesfushori anglez ka zbuluar disa detaje interesante nga jeta e tij jashtë futbollit, duke pranuar se nuk është aspak i aftë në punët e përditshme.
“Nuk di të gatuaj, nuk di të ngas makinën... Jam i mirë në atë që bëj, por jo në shumë gjëra të tjera”, është shprehur Bellingham.
Ai ka treguar se në përditshmëri mbështetet te familja dhe miqtë, ndërsa në Madrid jeton edhe me nënën e tij, Denise.
Për organizimin e jetës së përditshme ndihmohet gjithashtu nga një kuzhiniere dhe një pastruese.
Bellingham pranoi se në fushën e futbollit ndihet i pjekur dhe i sigurt, por jashtë saj ka ende shumë gjëra për të mësuar.
Ndërkohë, koleksioni i tij i makinave vazhdon të rritet, duke arritur një vlerë marramendëse, edhe pse pronari i tyre nuk mund t'i drejtojë ende vetë.