Përzgjedhësi i Malit të Zi, Mirko Vuçiniqit, ka vendosur ta ftojë mbrojtësin e djathtë të Deçiqit, Xhonatan Dreshaj, për ndeshjen kundër Qipros.
Dreshaj ishte pjesë e kombëtares edhe në grumbullimin e kaluar, por ende nuk ka debutuar me fanellën e “Skifterëve”.
“Problemet me lëndime në pozitën e mbrojtësit të djathtë e detyruan Vuçiniqin që në ndeshjen e fundit të eksperimentonte me Andrija Bullatoviqin në këtë rol.
Mesfushori i Lensit u përshtat mirë, pasi edhe gjatë kategorive të reja kishte luajtur në këtë pozitë”, shkruan media malazeze “Vijesti”.
Në nxehjen para takimit me Letoninë u lëndua Milan Roganoviq, ndërsa një ditë para ndeshjes së mbrëmshme nga grumbullimi u largua edhe Adam Marushiq për shkak të lëndimit.
Kujtojmë se Mali i Zi do të luajë të dielën, nga ora 15:00, si mysafir i Qipros, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.