Arda Guler ishte protagonist i një prej momenteve më të bukura në humbjen 2-1 të Turqisë ndaj Belgjikës, më 12 nëntor, duke realizuar një gol fantastik nga gjuajtja e lirë, për të cilin portieri Senne Lammens nuk kishte pothuajse asnjë mundësi reagimi.
Mesfushori i Real Madridit e kaloi Turqinë në epërsi në minutën e 20-të të ndeshjes së Ligës së Kombeve, por Belgjika arriti ta përmbyste rezultatin me golat e Kevin De Bruyne dhe Charles De Ketelaere.
Humbja ishte zhgënjyese për turqit, por paraqitja e Gulerit mori vëmendje të madhe, pavarësisht rezultatit përfundimtar.
Në mesin e atyre që mbetën të impresionuar nga 21-vjeçari ishte edhe Kevin De Bruyne. Kapiteni belg jo vetëm që e vlerësoi cilësinë e tij gjatë ndeshjes, por edhe personalisht e përgëzoi pas përfundimit të takimit.
Goli i parë i Gulerit dëshmoi edhe një herë cilësitë që e kanë shndërruar atë në një prej mesfushorëve ofensivë më premtues.
Nga një pozitë qendrore jashtë zonës së rreptësisë, turku goditi me këmbën e majtë, duke e dërguar topin mbi murin e lojtarëve belgë dhe drejt këndit të sipërm të majtë të portës.
Pavarësisht këndit të vështirë të goditjes së lirë, Guler arriti t’i japë topit lartësinë, harkimin dhe saktësinë e duhur për ta mposhtur Lammensin.
Ishte një moment i jashtëzakonshëm individual, ndonëse Turqia nuk arriti ta shfrytëzonte epërsinë për të marrë rezultat pozitiv.
Pas ndeshjes, De Bruyne shpjegoi mënyrën se si Belgjika ishte përgatitur për ta ndalur mesfushorin e Real Madridit, duke sugjeruar se fakti që Turqia mbështetej shumë te ai kishte ndikuar në strategjinë e tyre.
“Ne e kemi mbikëqyrur atë nga afër gjatë gjithë kohës. Bashkëlojtarët e tij duhet të marrin më shumë përgjegjësi, sepse e gjithë përgjegjësia kishte rënë mbi Ardan dhe ne e kishim përgatitur ndeshjen duke u bazuar në këtë”, deklaroi De Bruyne.
Ndërkohë, Guler zbuloi se pas përfundimit të ndeshjes, De Bruyne iu afrua personalisht dhe e përgëzoi për paraqitjen.
“Pas ndeshjes, derisa po shkoja drejt tunelit, ai më ndali dhe më tha: ‘Hej, Guler, çfarë ndeshjeje të mrekullueshme ke zhvilluar sonte!’”.
“Unë vetëm buzëqesha, sepse këto fjalë vinin nga një prej mesfushorëve më të mirë dhe më me përvojë”, ka treguar ai, sipas “MARCA”.
“Ai më tha se i kishte ndjekur ndeshjet e mia dhe se i pëlqen mënyra se si e kontrolloj mesfushën. Gjithashtu më tha se goli nga goditja e lirë ishte i pabesueshëm”.
“Ai nuk mund ta besonte se kisha arritur të shënoja, pasi isha shumë larg portës. Në fund, më përshëndeti, duke më uruar gjithë të mirat dhe duke shpresuar që të vazhdoj në këtë mënyrë”, shtoi Guler.
“E falënderova për të gjitha fjalët e mira dhe të ngrohta që tha për talentin tim. Ato kanë shumë rëndësi për mua, pasi De Bruyne është frymëzim për këtë gjeneratë të futbollistëve”, përfundoi ylli turk.