Vukaj-Kulla-Muslika, treshja që pritet të thyejë “tabutë” te Kombëtarja!

Futboll

Vukaj-Kulla-Muslika, treshja që pritet të thyejë “tabutë” te Kombëtarja!

Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 23:23
Vukaj-Kulla-Muslika

8 gola brenda 3 ditësh nga Shqipëria U19 dhe çfarë paraqitjeje! Kjo grupmoshë mbart në gjirin e saj talente që premtojnë të ardhmen e ndritur te Kombëtarja.

Përtej kontributit të të gjithë grupit, nuk mund të lihen pa evidentuar 3 “magjistarët” ofensivë që po “shkatërrojnë” çdo ekip rival. Fjala është për Alen Vukaj, Gabriel Kulla dhe Armend Muslika.

Kulla është vetëm 18 vjeç dhe në 2 ndeshjet e fundit me Kombëtaren U19 regjistron 3 gola, ndërsa bën pjesë te skuadra e Sassuolo U20. Me ekipin italian gjatë këtij sezoni grumbullon 6 gola dhe 1 asist në 8 ndeshje, ndërsa ka edhe 2 prezenca me Sassuolo në Serie A.

Për sa i takon Alen Vukajt, talenti kuqezi është 18 vjeç, pjesë e Inter U20, Itali. Luan si sulmues i majtë, teksa me zikaltërit e kësaj grupmoshe regjistron 4 gola dhe 1 asist në 13 prezenca. Te Shqipëria U19, ndaj Qipros dhe Armenisë, numëron 1 gol dhe 1 asist.

“Qershia” për në fund, Armend Muslika. Mesfushori ofensiv shënoi eurogol sot nga goditja standarde karshi Armenisë.

Në 2 paraqitjet e fundit me Shqipërinë U19, Muslika ka 4 gola, “vrastar” para portës rivale. Supertalenti është pjesë e Tottenham U18 në Angli. Gjatë këtij sezoni me londinezët në Premier League U18, Muslika krenohet me 6 gola në 9 prezenca.

Nëse i referohemi formës dhe numrave, është e sigurt që me këtë treshe, pa lënë në plan të dytë talentet e tjerë të Shqipërisë, prezenca në një Kampionat Botëror apo surpriza në fazën përtej atyre të grupeve në Kampionatin Europian, nuk do të jetë më “tabu”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat