Maqedonia e Veriut në futboll nesër, me fillim nga ora 20:45, në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të kësaj fushate në Ligën e Kombeve, në Ligën B, kundër përfaqësueses së Sllovenisë.
Maqedonia është kthyer nga Skocia, ku zhvilloi ndeshjen e fundit si mysafire për këtë vit dhe pësoi humbje me rezultat 2:1.
Përzgjedhësi Goce Sedloski e paralajmëroi ndeshjen e nesërme kundër Sllovenisë me deklaratën e dhënë në konferencën e sotme për shtyp. Ai foli për pritshmëritë nga ndeshja e fundit, presionin që aktualisht e ka Maqedonia e Veriut, si dhe atmosferën në skuadër para 90 minutave të fundit.
“Pas udhëtimit, rikuperimit dhe stërvitjes së mbrëmjes së sotme, të gjithë janë mirë, përveç Dimitar Mitrovskit. Ai është ankuar pak për një lëndim dhe do të shohim deri nesër. Nëse do të ketë ndonjë ftesë shtesë, do ta vendosim deri në mbrëmje.
Mendoj se në ndeshjen kundër Sllovenisë, gabimet tona e vendosën fatin e takimit. Kundër Skocisë treguam se mund të përballemi me përfaqësuese të tilla. Po, ata kishin iniciativën, por në njëzet minutat e fundit treguam se mundemi.
Sllovenia është një ekip kompakt, mbrohet mirë, është e mirë në tranzicion dhe del shpejt në kundërsulme. Duhet ta rrisim ritmin. Besoj se djemtë nesër do të tregojnë karakter dhe do të arrijmë te tri pikët. Ne duhet të përqendrohemi te paraqitja jonë në fushë. Presim një ndeshje të hapur, me shumë raste, dhe le të fitojë më i miri.
Sigurisht që do të ketë ndryshime në formacion. Pas nesh është një ndeshje e vështirë dhe një udhëtim i gjatë. Mendoj se djemtë e kuptojnë se çfarë kërkoj prej tyre dhe cila është filozofia ime. Humbjet dhembin, por besoj se fitoret do të vijnë shumë shpejt”, - deklaroi përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Goce Sedloski.