Shqiptari që po bën bujë në Kombëtaren e Gjermanisë, Demichelis: Tani po e kupton se sa e bukur është kjo

Futboll

Shqiptari që po bën bujë në Kombëtaren e Gjermanisë, Demichelis: Tani po e kupton se sa e bukur është kjo

Nga: K.G. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 17:40
Brajan Gruda (majtas) duke marrë këshilla nga trajneri i RB Leipzigut, Martin Demichelis

Futbollisti Brajan Gruda është bërë emri më i përfolur i muajit nëntor, jo vetëm në Gjermani, por edhe në gjithë kontinentin e vjetër.

Dy ndeshje, dy gola dhe dy asistime me fanellën e Kombëtares së Gjermanisë, ky është bilanci mbresëlënës i futbollistit shqiptar në ndeshjet e 13 dhe 16 nëntorit.

Të premten që lamë pas, Gruda shënoi në Beograd, në fitoren e Gjermanisë ndaj Serbisë me rezultat 3:1, ndërsa mbrëmë, në Berlin, realizoi një gol dhe asistoi në dy të tjerë, në triumfin bindës 5:0 kundër Holandës.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen edhe në klubin e tij, RB Leipzig. Trajneri Martin Demichelis ka vlerësuar zhvillimin e futbollistit shqiptar, duke theksuar se tashmë ai po e kupton rëndësinë dhe kënaqësinë e lojës intensive, përkushtimit dhe rikuperimit të topit.

Trajneri i RB Leipzigut, Martin Demichelis, ka folur për vështirësitë që ka kaluar skuadra, zhvillimin e talentit të ri të futbollit gjerman, Brajan Gruda, si dhe presionin e vërtetë, duke marrë si shembull trafikun në qytetin e Buenos Airesit.

Shumë trajnerë hezitojnë të deklarojnë publikisht objektiva konkrete për sezonin. Por Martin Demichelis nuk e ka këtë problem.

Në një intervistë për gazetën “Leipziger Volkszeitung”, trajneri i RB Leipzigut bëri të ditura tri synimet e skuadrës:

“Duam të arrijmë në finalen e Kupës në Berlin, të përfundojmë ndër katër skuadrat e para në kampionat dhe të kualifikohemi në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.”

Pavarësisht se skuadra ka kaluar një periudhë të vështirë, Demichelis nuk e ka humbur besimin në punën e tij dhe në rrugën e përbashkët me ekipin.

“A kam dyshuar ndonjëherë në rrugën tonë të përbashkët? Jo, asnjëherë.

A mund ta përballoj presionin me të cilin përballet çdo trajner? Po, mundem. A dëshironi ta dini se çfarë është presioni i vërtetë dhe sa i rëndë mund të jetë?”, pyeti argjentinasi, duke sjellë më pas një shembull nga vendlindja e tij.

“Kur zbret në aeroportin e Buenos Airesit, hipën në veturë dhe përpara teje shfaqet rrethrrotullimi i parë, atëherë je nën presion.

Askush nuk i respekton rregullat e trafikut dhe askush nuk të lëshon rrugën me mirësjellje. Për të hyrë në rrethrrotullim të duhen guxim, bindje, gatishmëri për të rrezikuar dhe shpejtësi. Të gjitha këto të duhen edhe për të dalë prej tij”, u shpreh Demichelis.

Tri fitore radhazi, Gruda shkëlqen me Gjermaninë

RB Leipzig u largua në pushimin e ndeshjeve ndërkombëtare pas tri fitoreve radhazi në kampionat. Njëri prej futbollistëve që përfitoi më së shumti nga kjo periudhë ishte Brajan Gruda.

Sulmuesi anësor 22-vjeçar regjistroi paraqitjet e para me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, duke bartur numrin 10. Në ndeshjen kundër Serbisë shënoi gol në debutimin e tij, ndërsa kundër Holandës regjistroi edhe një gol dhe dy asistime.

Edhe në Leipzig, Gruda kishte filluar të tregonte formë gjithnjë e më të mirë, jo vetëm në fazën ofensive.

“Grudës iu desh pak kohë”

“Grudës iu desh pak kohë derisa filloi t'i ndiqte topat dhe kundërshtarët, ashtu siç bëri në ndeshjet kundër Schalkes dhe Augsburgut”, shpjegoi Demichelis.

“Tani ai po e kupton se sa e bukur është për të, për ekipin dhe për tifozët kur arrin ta rikthejë topin në zotërim. Edhe kjo është pjesë e zhvillimit të tij”, shtoi trajneri.

Pikërisht këtë angazhim kërkon Demichelis nga skuadra e tij.

“Për lojën tonë intensive na nevojiten shumë shpejtësi, shumë vrapime intensive, bindje, guxim, agresivitet, kompaktësi dhe distanca të vogla ndërmjet reparteve. E gjithë kjo është e mundur vetëm nëse të gjithë janë fizikisht dhe mendërisht të fortë dhe japin kontributin e tyre, si kur e kemi topin, ashtu edhe kur nuk e kemi”, theksoi ai.

Të shtunën, në orën 15:30, Gruda dhe bashkëlojtarët e tij do të kenë mundësinë ta dëshmojnë këtë në ndeshjen kundër Union Berlinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat