Barcelona dëshiron ta shesë, ylli i kombëtares i ofrohet Juventusit dhe Romës

Futboll

Barcelona dëshiron ta shesë, ylli i kombëtares i ofrohet Juventusit dhe Romës

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 16:59
Futbollisti Alejandro Balde

Alejandro Balde nuk është në planet e Barcelonës dhe dëshiron të largohet nga klubi, raportojnë disa media italiane. Agjenti i tij, Jorge Mendes, ua ka ofruar klientin e tij Romës dhe Juventusit, mes klubeve të tjera, por deri më tani nuk ka arritur rezultatin e dëshiruar.

Balde debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në shtator të vitit 2021, nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm Ronald Koeman. Mbrojtësi i majtë shumë shpejt ra në sy dhe u bë titullar i rregullt edhe pas ardhjes së pasuesit të Koemanit, Xavi Hernández.

Sipas “Goal”, edhe pas emërimit të Hansi Flickut në verën e vitit 2024, Balde vazhdoi të ishte një lojtar i rëndësishëm për Barcelonën. Gjatë sezonit 2024/25, ai zhvilloi 47 paraqitje, duke luajtur afro 3.500 minuta.

Edhe sezonin e kaluar, mbrojtësi spanjoll ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke regjistruar 2.800 minuta në 42 ndeshje.

Megjithatë, ky sezon ka qenë krejtësisht ndryshe. Futbollisti me shtatë paraqitje për kombëtaren e Spanjës, i cili nuk ishte pjesë e skuadrës së kampionëve të botës verën e kaluar, ka luajtur vetëm 124 minuta në pesë ndeshje, të gjitha si zëvendësues.

Aktualisht, në hierarkinë e Barcelonës, si Joao Cancelo ashtu edhe 19-vjeçari Xavi Espart janë përpara tij.
Barcelona shpreson të realizojë një shitje fitimprurëse gjatë afatit kalimtar të janarit, në mënyrë që të sigurojë fondet për transferimin e shumëkërkuar të një qendërmbrojtësi të ri në Spotify Camp Nou.

Lëndimet e kanë detyruar Flickun të improvizojë vazhdimisht në qendër të mbrojtjes, ku ndër lojtarët që janë aktivizuar në këtë pozitë ka qenë edhe Frenkie de Jong.

Balde ka kontratë me Barcelonën deri në mesin e vitit 2028 dhe vlera e tij në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 40 milionë euro.

Barcelona do të preferonte shitjen e tij, megjithëse një marrëveshje e tillë mund të jetë e vështirë për t'u realizuar, pasi vetëm disa muaj më parë klubi katalanas kërkonte 60 milionë euro për kartonin e tij.
Jorge Mendes pritet të takohet me drejtuesit e Barcelonës javën e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e mbrojtësit.

Agjenti i njohur tashmë ua ka ofruar Balden Romës dhe Juventusit. Nga këto dy klube, skuadra torineze duket si opsioni më serioz.

Objektivi i parë i Juventusit është mbrojtësi i majtë i Atalantës, Lorenzo Bernasconi (23 vjeç), kartoni i të cilit pritet të kushtojë rreth 30 milionë euro.

Nëse Juventusi nuk arrin ta transferojë atë gjatë afatit kalimtar të janarit, klubi mund t'i shtyjë negociatat deri në fund të sezonit dhe të tentojë huazimin e Baldés për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes deri në verë.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse Balde dhe Barcelona do të pranonin një huazim të thjeshtë, pa detyrim blerjeje.
Ndërkohë, Roma i ka bërë të ditur Mendesit se prioriteti i saj gjatë janarit është transferimi i një anësori të ri ofensiv.

Balde do të bëhej një objektiv serioz për klubin nga kryeqyteti italian vetëm nëse mund të sigurohej përmes një huazimi me kosto relativisht të ulët.

Përveç Juventusit dhe Romës, interesim për mbrojtësin e Barcelonës kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain, AS Monaco dhe Manchester United.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat