Selene Melian zbulon pse Nico Paz vendosi të mos rikthehet te Real Madridi

Futboll

Selene Melian zbulon pse Nico Paz vendosi të mos rikthehet te Real Madridi

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 17:46
Nico Paz, po shkëlqen

Gazetarja e Radio “Marca”, Selene Melian, ka zbuluar arsyet pse Nico Paz vendosi të qëndrojë te Como, në vend që të rikthehej te Real Madridi.

Sipas saj, vendimi ishte i vetë futbollistit argjentinas, i cili preferoi të vazhdonte zhvillimin e tij në Itali, ku kishte garanci për më shumë minuta dhe një rol të rëndësishëm nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas.

“Informacioni që kemi në Radio “Marca” dhe nga burimet tona personale është se Nico Paz ishte ai që vendosi të qëndronte këtë vit te Como”, deklaroi Melian.

Ajo theksoi se rikthimi në Santiago Bernabéu do të nënkuptonte konkurrencë shumë më të madhe dhe rrezikun për të pasur një rol dytësor.
“Unë e njoh Nico Pazin dhe familjen e tij dhe e di mirë për çfarë po flas”, shtoi gazetarja.

Pse zgjodhi Argjentinën dhe jo Spanjën?

Melian foli edhe për vendimin e Nico Pazit për të përfaqësuar kombëtaren e Argjentinës dhe jo atë të Spanjës.
Sipas saj, Federata Spanjolle e Futbollit nuk kishte kontaktuar asnjëherë me futbollistin për ta ftuar në përfaqësuese.

Ajo kujtoi një intervistë të babait të lojtarit, Pablo Paz, i cili kishte konfirmuar se Spanja nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta afruar djalin e tij.

“Federata nuk kishte kontaktuar kurrë me Nico Pazin, prandaj ai nuk është dashur të zgjedhë mes Spanjës dhe Argjentinës”, shpjegoi Melian.

Një tjetër arsye për zgjedhjen e Argjentinës ishte dëshira e futbollistit për të luajtur përkrah Lionel Messit dhe për të përfaqësuar vendin që kishte mbrojtur edhe babai i tij.

Konkurrenca te Real Madridi
Gazetarja theksoi se konkurrenca në mesfushën e Real Madridit është jashtëzakonisht e madhe, duke përmendur emra si Jude Bellingham.

“A kë do të largonit sot nga formacioni i Real Madridit për ta vendosur Nico Pazin si titullar të padiskutueshëm? Bellinghamin?”, pyeti ajo.

Megjithatë, Melian beson se dëshira e Nico Pazit për të luajtur një ditë me fanellën e Real Madridit mbetet e madhe.

“Sigurisht që Nico Paz dëshiron një ditë të luajë te Real Madridi, por këtë vit ai kishte garanci absolute se do të luante rregullisht me Cesc Fabregasin”, përfundoi gazetarja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat