Ishte e diel, 22 nëntor 1987, kur dy futbollistë të gjeneratës së artë të Prishtinës, të cilët kishin kaluar njëri te Liria e Prizrenit dhe tjetri te Vëllaznimi i Gjakovës, humbën jetën.
Favzi Rama luante te Liria, ndërsa Faton Domi te Vëllaznimi.
Ndeshja në Prizren përfundoi me fitoren 1:0 të Lirisë ndaj Vëllaznimit, në derbin mes dy skuadrave tona në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë.
Domi kishte munguar në këtë ndeshje.
Të hënën, lajmi tronditës u përhap gjithandej.
Në Volljakë të Klinës Favzi Rama dhe Faton Domi humbën jetën në një aksident komunikacioni.
Më 25 nëntor, në stadiumin 'Polud' të Splitit, Prishtina zhvilloi ndeshjen e mbetur ndaj Hajdukut, ku në nderim të dy futbollistëve të ndjerë u mbajt një minutë heshtje.
“Sot kujtojmë Faton Domin dhe Fevzi Ramën dy ish-yjet e FC Prishtinës, të cilët më 22 nëntor 1987 humbën jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni.
Pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, Domi dhe Rama lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit dhe në zemrat e tifozëve prishtinas.
FC Prishtina nuk i harron kurrë legjendat e saj.
Lavdi kujtimit të tyre!”, shkruan në faqen e FC Prishtinës.