​Euro 2020: Bilbao, Dublini dhe Munihu në rrezik për t’i humbur të drejtat si nikoqirë

Sporti

​Euro 2020: Bilbao, Dublini dhe Munihu në rrezik për t’i humbur të drejtat si nikoqirë

Më: 22 prill 2021 Në ora: 20:02
Ilustrim

Bilbao dhe Dublini si duket do të humbin të drejtat që të jenë mikpritës të kampionatit Euro 2020, ku po ashtu edhe Munihu është në rrezik që të largohet nga lista e qyteteve mikpritëse.

UEFA pritet që nesër të merr një vendim për tri qytetet që do të organizojnë ndeshjet për Euro 2020.

Euro 2020 është paraparë që të zhvillohet në 12 qytete, por UEFA ka kërkuar që të gjithë mikpritësit e propozuar të garantojnë prezencën e fansave gjatë ndeshjes.

Federata e Futbollit të Spanjës më herët kishte informuar që është e pamundur që qeveria baske të miratojë një vendim për lejimin e fansave në stadiumin “San Memes”.

Po ashtu, edhe Dublini si duket do të humbë të drejtat si nikoqir, pasi Qeveria e Irlandës kishte pranuar se është shumë herët që fansat të lejohen në stadiumin “Aviva”.

Shqetësime ka edhe për Munihun, ku kryeministri i Gjermanisë Markus Söder kishte paralajmëruar se nëse do të ketë rritje të rasteve COVID-19, do të ishte e pamundur që të pranohet kërkesa e UEFA-s.

Euro 2020, që ka mbajtur këtë emër pavarësisht shtyrjes për 12 muaj për shkak të krizës me pandeminë COVID-19, është paraparë të fillojë më 11 qershor në Romë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat