Falë Zotit shpëtuan të gjithë anëtarët e familjes Mahalla më 31 mars të vitit 1999, një ditë që mbetet e paharrueshme për këtë familje sportistësh.
Shtatë vëllezërit karateistë, prof. Fahriu, Ganiu, Syla, Rexha, Hakiu, Nebihu dhe Halili, njiheshin si një familje e përkushtuar ndaj sportit dhe çështjes kombëtare.
Familja e Riza Mahallës - Vladit ishte e njohur për kontributin e madh në karate dhe në sport, por edhe për aktivitetet kombëtare në vitet 90-ta.

Shtëpia me shtatë çati u minua nga milicia dhe paramilitarët serbë, 31 mars, 1999
Në atë kohë, shtëpia e tyre u shndërrua pjesërisht në shkollë të mesme të mjekësisë dhe pjesërisht në sallë për sporte luftarake.
Pikërisht për këto aktivitete, familja ishte bërë halë në sy për regjimin serb. Trajneri i spikatur i karatesë, Gani Mahalla, aktualisht kryetar i Klubi i Karatesë Kastrioti, rrëfen ditën kritike të 31 marsit 1999, kur forcat serbe, nën urdhrat e komandantit famëkeqë Mitiq dhe Boban Krstiqit, vendosën të minonin dhe rrafshonin shtëpinë e tyre me shtatë çati, si akt hakmarrjeje për aktivitetet në kuadër të Republikës së Kosovës.
“Në orën 13:15 të ditës së 31 marsit të vitit 1999, shtëpia jonë me shtatë çati u minua nga milicia dhe paramilitarët serbë.
Unë, falë një korridori, u largova më herët, ndërsa disa mbetën brenda, por për fat shpëtuan falë zgjuarsisë së tyre.
Kur e pashë shtëpinë që u rrëzua, në një moment mendova se nuk do t’i shihja më kurrë Hakiun dhe anëtarët e tjerë të familjes, por falë zgjuarsisë së tyre dhe falë Zotit, shpëtuan”, tregon Ganiu për gazetën kombëtare “Bota sot”, duke kujtuar me dhimbje ngjarjen e para 27 viteve.