Shaban Tërstena: Sporti na bashkon, dija na ndriçon, rinia na ndërton të ardhmen!

Sporti

Shaban Tërstena: Sporti na bashkon, dija na ndriçon, rinia na ndërton të ardhmen!

Nga: K.G. Më: 14 tetor 2026 Në ora: 21:21
Prof. dr. Bekim Fetaj dhe Shaban Tërstena

Kampioni olimpik i vitit 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, legjenda e mundjes, Shaban Tërstena, ka përcjellë një mesazh frymëzues për rëndësinë e sportit, dijes dhe rinisë.

“Sporti na bashkon, dija na ndriçon, rinia na ndërton të ardhmen!”, është mesazhi i Tërstenës, njërit prej emrave më të shquar të sportit shqiptar.

Sot, legjenda e mundjes u prit zyrtarisht nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. dr. Bekim Fetaji.

“Sporti na bashkon, dija na ndriçon, rinia na ndërton të ardhmen!

Të dashur studentë dhe sportistë: Vitin e ardhshëm me 30 mars 2027, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të bëhet vendtakimi i rinisë, sportit dhe miqësisë, me organizimin e olimpiadës sportive universitare studentore..!

Si kampion olimpik, e njoh mirë peshën e sakrificës dhe gëzimin e fitores. Por një nga fitoret më të çmuara të sportit është fuqia e tij për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar karakter dhe për t’u dhënë të rinjve besim në aftësitë e tyre.

Sot, pata kënaqësinë të pritem në një takim zyrtar nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji.

Gjatë takimit biseduam për organizimin e kësaj olimpiade dhe për mundësinë që studentët tanë të takohen, të garojnë dhe të krijojnë miqësi që do të vazhdojnë edhe përtej fushave sportive.

Olimpiada do të organizohet nga unë, fitues i medaljes së artë dhe të argjendtë olimpike dhe Sportist i shekullit XX në Maqedoni dhe mbarëkombëtar shqiptar nën patronazhin e rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji.

Në këtë festë sportive do të marrin pjesë ekskluzivisht vetëm ekipe studentore nga universitetet e Maqedonisë , Kosovës dhe Shqipërisë. Dyert do të jenë të hapura edhe për studentët nga diaspora, të cilët mund të formojnë ekipe të përbashkëta nga universitete të ndryshme ndërkombëtare.

Synimi ynë është i qartë të promovojmë sportin universitar, të kultivojmë garën e ndershme,  "fair-play"  dhe të forcojmë miqësinë, bashkëpunimin ndëruniversitar dhe lidhjet me diasporën tonë.

Në çdo garë do të kërkojmë fitoren, por do të nderojmë edhe përpjekjen, disiplinën dhe respektin për kundërshtarin. Sepse karakteri i një sportist dëshmohet në mënyrën si përgatitet, si garon dhe si i respekton të tjerët!

Të dashur studentë, përgatitni ekipet tuaja dhe sillni energjinë, talentin dhe krenarinë e universiteteve që përfaqësoni!
Le ta bëjmë 30 marsin 2027 një ditë të paharrueshme të sportit studentor  një ditë ku lindin miqësi, zbulohen talente dhe ndërtohen ura bashkëpunimi!

Programi i detajuar, disiplinat sportive dhe mënyra e aplikimit do të bëhen publike në njoftimet e radhës.

Me dije në mendje, me guxim në zemër dhe me sportin që na bashkon përpara drejt fitoreve të reja!:, ka shkruar Shaban Tërstena në profilin e tij në facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat