Federata e Kikboksit e Kosovës ka shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke mirëpritur në Kosovë presidentin e WAKO-s Botërore, Roy Baker, dhe presidentin e WAKO-s Evropiane, Espen Lund.
Vizita zyrtare u realizua me ftesë të presidentit të Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, i cili priti dy drejtuesit e lartë të institucioneve ndërkombëtare të këtij sporti.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të kikboksit në Kosovë, forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe mundësitë e reja për avancimin dhe afirmimin e këtij sporti në arenën ndërkombëtare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe perspektivës së kikboksit në kuadër të Lëvizjes Olimpike, veçanërisht në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje me rëndësi të veçantë për sportin kosovar.
Presidenti i Federatës, Fatmir Makolli, e vlerësoi këtë vizitë si një dëshmi të bashkëpunimit të mirë dhe mbështetjes ndërkombëtare për zhvillimin e kikboksit në Kosovë.
“Si Federatë, jemi jashtëzakonisht të kënaqur dhe mirënjohës për këtë vizitë, e cila përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të kikboksit”, deklaroi Makolli.
Kjo vizitë përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit me WAKO-n Botërore dhe Evropiane, duke krijuar perspektiva të reja për zhvillimin e sportistëve, trajnerëve dhe strukturave të kikboksit në Kosovë.
Federata e Kikboksit e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e këtij sporti, rritjen e prezencës ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për suksese të reja në arenën sportive.