“AS” zbulon shumën, për të cilën Juventusi është gati ta shesë Ronaldon

Futboll

“AS” zbulon shumën, për të cilën Juventusi është gati ta shesë Ronaldon

Më: 23 mars 2021 Në ora: 18:05
“AS” zbulon shumën, për të cilën Juventusi është gati ta shesë Ronaldon

“Cristiano është lojtari më i mirë në botë dhe ne nuk do ta lëmë atë të largohet”. Fabio Paratici, pas disfatës poshtëruese me Benevento, e përsëriti qëndrimin publik të Juventusit për të ardhmen e yllit portugez. “Zonja e Vjetër” mbron investimin e saj dhe krenarinë e të pasurit të pesë herë fituesit të “Topit të Artë” në radhët e saj, por është e pashmangshme të mos mendosh shumë ndryshime për sezonin tjetër dhe ofertat e mundshme që mund të ketë.

Sezoni aktual bardhezi është katastrofik për momentin. Pas lamtumirës nga Liga e Kampionëve, humbja e fundit me Benevento e bëri pothuajse të pamundur ëndrrën “Scudetto”. Vendi i parë, i mbajtur nga Interi, është ende 10 pikë larg, me të dyja skuadrat që kanë nga një ndeshje të prapambetur.

Humbja e titullit të dhjetë radhazi është një goditje e rëndë për Juven, e cila nënshkroi me CR7 për të triumfuar në Europë. Pas zhgënjimeve me Ajax, Lyon dhe Porto, skuadra bardhezi po humbet gjithashtu hegjemoninë e saj të brendshme.

Sipas specialistëve, “Zonjës së Vjetër” i nevojitet një revolucion i vogël, që përforcon repartin përpara dhe mesfushën. Për këtë, ndoshta duhet edhe një trajner me përvojë në vend të Pirlos, i cili kurrë nuk kishte stërvitur para se të merrte frenat e këtij projekti. Pra, nevojiten investime shumë të rëndësishme dhe, në këtë kuptim, lamtumira e Cristiano Ronaldos do të ishte një ndihmë e madhe (në aspektin financiar).

Portugezi peshon 87 milionë euro në sezon në bilancin e kampionëve italianë, midis asaj që kushton paga e tij dhe amortizimit të 100 milionëve, që u paguan te Real Madridi. Juve, siç mëson “AS”, për këtë arsye nuk do ta detyrojë portugezin të qëndrojë në Torino.

Vullneti i Cristianos, siç raportoi kjo gazetë, është i qartë: kthimi te Real Madridi sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesi kurrë nuk i mohoi këto zëra dhe nuk do të vendosë pengesa financiare për ta realizuar këtë dëshirë. Për momentin, megjithatë, Juve nuk ka marrë oferta për transferimin e portugezit.

Klubi pret me qetësi se çfarë do të sjellë merkatoja e verës. Nëse Cristiano komunikon qëllimin e tij për t’u larguar, duke paraqitur një ofertë specifike, entiteti italian do të jetë i hapur për të negociuar dhe do ta linte të largohej pa asnjë problem. Sigurisht, klubi i interesuar duhet të vendosë në tryezë të paktën 25 milionë euro. Kaq është shuma që do të shmangte humbjet për bilancin e Juventusit.

Nëse ai propozim nuk vjen, megjithatë, torinezët do të jenë të kënaqur me Ronaldon në vitin e fundit të kontratës së tij. Ata nuk do ta detyrojnë qëndrimin, por as lamtumirën e tij. Fati i yllit portugez varet vetëm nga ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat