Gega “nuk i shet” lojtarët e tij dhe sqaron çështjen Zguro

Futboll

Gega “nuk i shet” lojtarët e tij dhe sqaron çështjen Zguro

Më: 1 maj 2022 Në ora: 19:01
Gega “nuk i shet” lojtarët e tij dhe sqaron çështjen Zguro

Skënderbeu po vazhdon që të tregohet i ndershëm me veten dhe të tjerët në Superiore, për të respektuar garën deri në fund, pavarësisht se është thuajse i rënë në Kategorinë e Parë. Korçarët krijuan dy mundësi të arta për të kaluar në avantazh ndaj Vllaznisë në ditën e djeshme. Megjithatë ana psikologjike dhe limitet e disa lojtarëve të caktuar sollën humbjen ndaj ekipit shkodran, me shifrat 1-0.

Por pavarësisht të gjithë këtyre faktorëve, trajneri Skënder Gega nuk zgjedh që t’i “shesë” lojtarët e tij për t’i fajësuar dhe për të fituar vetë sa më shumë pikë. Në konferencën e tij për mediat pas ndeshjes është sqaruar edhe çështja Zguro. Ky i fundit kishte përplasje me tifozerinë shkodrane dhe këta të fundit kërkuan që Gega ta zëvendësonte, për të mos krijuar më shumë probleme. Sigurisht që Skënderi nuk mund ta bënte një gjë të tillë, që formacioni dhe skema e tij të vendosej mbi dëshirën e kundërshtarit. Një përgjigje pikante kishte trajneri i Skënderbeut edhe sa i përket talenteve shkodranë.

“Nuk erdhëm për t’i prishur punë Shkodrës, por për të luajtur për vete. E shijova ndeshjen dhe pse e gjithë Shqipëria ka debulesë për Shkodrën, problemet e tyre nuk mund t’i mbulonin me ne.

E rëndësishme është që të luajmë dhe të mos degjenerohet futbolli. Nuk jam i penduar që erdha te Skënderbeu, jam ndierë i respektuar në Korçë, i tillë është futbolli. Unë erdha për një projekt këtu dhe që të mbijetonim, por gjërat kanë ndryshuar. Do ulem me presidentin për të folur tani dhe gjithçka është e hapur.

Zguro të zëvendësohej? Jam trajneri i Skënderbeut, jo i Vllaznisë. Një lojtar më doli më të kuqe, nuk mund të nxirrja vetë edhe një titullar tjetër. Nuk e di se kush e nisi provokimin mes Zguros dhe tifozëve, por kjo pak rëndësi. Ata tifozë që e kanë ofenduar nuk përfaqësojnë Shkodrën dhe Zguro nuk është i përkryer, nuk dua të rëndoj asnjë palë. Nuk e nxirrja dot nga loja se e kërkonin tifozët kundërshtarë. Por unë nuk jam trajneri i Vllaznisë, jam i Skënderbeut dhe shoh interesat e mia.

Jam i kënaqur me lojtarët e mi, luajtëm më mirë se rivali në pjesën e parë dhe mund të kishim shënuar. Ju do të thoni se ku do të shkonim me një fitore këtu? Me rëndësi është që të jemi profesionista deri në fund. Lojtarët shkodranë te Skënderbeu? Shkodra t’i mbaj talentet e Shkodrës, mos i dërgoni nëpër vende të tjera. I gjithë Ballkani është i mbushur me shkodranë, duhej të punoni më të mirë për t’i mbajtur aty. Megjithatë kjo është ekonomia e tregut dhe gjithçka shkon në bazë të interesave”, tha Gega.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat