Shumë pak lojtarë kanë arritur të fitojnë admirimin e të gjithë tifozëve të futbollit pavarësisht ngjyrave që kanë mbrojtur dhe një prej të “zgjedhurve” ka qenë edhe Ronaldo “Fenomeni”. Braziliani, që ndër të tjera ka veshur fanellat e Barcelonës, Interit, Real Madridit e Milanit, padyshim që ngelet mbi të gjitha një ikonë e zikaltërve, për pesë sezonet që luajti me ta dhe më pas edhe e madrilenëve, ku qëndroi për të njëjtën periudhë.
Por ndërsa emri i tij është lakuar së fundmi në ceremoninë e “Topit të Artë”, ku Karim Benzema pas fitores e përmendi si një ndër idhujt e tij, Ronaldo nuk ka lënë pa komentuar edhe Serinë A, për “Sportmediaset”, ku padyshim vëmendjen e ish-sulmuesit e merr Interi.
“Unë jam një i sëmurë pas futbollit, kam qenë ashtu më parë jam dhe tani. Shikoj shumë futboll, kam në pronësi dy klube (Real Vajadolid dhe Kruzeiro), por i shikoj të gjitha ndeshjet. Sigurisht që ndjek dhe futbollin italian dhe Interin”, e nisi fjalën e tij 46-vjeçari që komentoi konkretisht ndeshjet e zikaltërve me Barcelonën.
“Interin e kam parë në dy ndeshjet që ka luajtur me Barcelonën në Europë, u treguan fantastikë. Ka bërë paraqitje prej gjigandi ndaj një skuadre vërtet të madhe”, u shpreh ish-numri 9 i zikaltërve, që më pas u ndal edhe tek ecuria e Interit në kampionat.
“Milani dhe Napoli vërtet janë para zikaltërve, por kampionati sapo ka nisur, është shumë i gjatë…”, e mbylli Ronaldo fjalën, duke dhënë kështu një sinjal inkurajimi për Interin dhe pikët që duhet të rikuperojë për të vazhduar luftën për titull.