Lazio nuk e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme; në katër ndeshje të kampionatit ka marrë vetëm një fitore dhe tri humbje.
Duhet një ndryshim marshi edhe pse bardhekaltrit kanë cilësitë e duhur për të jetuar një sezon si protagonistë; objektivi, për sa i takon kampionatit, është ai për të luftuar për katër pozicionet e para.
Kundër Atletico Madrid, në Champions League, ka ardhur një barazim i çmuar pas një autogoli të pafat të Kamada-s; një devijim që ka nxjerrë jashtë loje Provedel dhe që mund t’i kishte dhuruar tri pikë klubit spanjoll po të mos kishte qenë për vetë portierin e bardhekaltërve, autor i golit të barazimit në fundin e ndeshjes.
Autogoli mund të jetë edhe faji i fanellës me të cilën Kamada ka zbritur në fushë. Mesfushori, që kur ka filluar sezoni ka luajtur gjithmonë me një fanellë me mëngë të gjata duke gjetur edhe golin e parë me Lazio-n, në fushën e Napoli-t.
Në Champions ka zgjedhur një fanellë me mëngë të shkurtra (edhe për shkak të temperaturave të larta), por kjo zgjedhje ka shkaktuar një autogol të shëmtuar.
Ka shumë mundësi që, duke filluar nga ndeshja e ardhshme, Kamada do t’i kthehet fanellës me mëngë të gjata.