Yaya Toure është kandidat për trajner të ri te Slovan Bratislava

Futboll

Yaya Toure është kandidat për trajner të ri te Slovan Bratislava

Më: 19 maj 2026 Në ora: 19:06
Yaya Toure

Legjenda e futbollit, Yaya Toure, mund të nisë një aventurë të re si trajner në Sllovaki.

Sipas raportimeve të mediave sportiv sllovake, ish-mesfushori i njohur është në mesin e kandidatëve për postin e trajnerit te kampioni sllovak, Slovan Bratislava.

Klubi është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Vladimir Weiss Sr.. Drejtuesit e skuadrës raportohet se po shqyrtojnë disa alternativa, përfshirë edhe emra nga jashtë vendit.

Drejtori i përgjithshëm i klubit, Ivan Kmotrík Jr., ka mohuar ditët e fundit spekulimet për negociata me trajnerin Zsolt Hornyák dhe teknikun çek Tomas Janotka. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se klubi tashmë është në bisedime me disa kandidatë të përzgjedhur dhe synon ta emërojë trajnerin e ri brenda dy javësh.

“Ne nuk duam ta zgjasim këtë proces. Synojmë ta zgjidhim sa më shpejt, por nuk është një vendim i lehtë, prandaj nuk do të marrim vendime të nxituara”, citohet të ketë thënë Kmotrík nga mediat sllovake.

Sipas informacioneve jozyrtare, ish-ylli i Manchester City dhe FC Barcelona është një nga emrat me të cilët Slovan Bratislava po zhvillon bisedime.

Gjatë karrierës si futbollist, Toure kishte fituar dy tituj kampioni në LaLiga dhe një trofe të Champions League me Barcelonën, ndërsa me Manchester Cityn kishte fituar edhe tre tituj kampioni në Angli.

Karriera e tij si trajner, megjithatë, është ende në fazat fillestare. Ai ka punuar si ndihmës-trajner te Olimpik Donetsk, Akhmat Grozny, Standard Liege dhe së fundmi te kombëtarja e Arabisë Saudite, ku ka bashkëpunuar me trajnerin Roberto Mancini. Që nga tetori i vitit 2024, ai është pa angazhim në ndonjë klub.

Megjithatë, sipas mediave sllovake, Toure nuk konsiderohet favorit kryesor për këtë pozitë. Favoriti thuhet të jetë trajneri kroat Igor Biscan, ish-futbollist i Liverpool, i cili më herët ka drejtuar Dinamo Zagrebin, kombëtaren U21 të Kroacisë dhe klubin saudit Al Shabab FC.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat