Ofensiva kundër Shkëndijës së Tetovës! Del edhe ministria maqedonase

Futboll

Ofensiva kundër Shkëndijës së Tetovës! Del edhe ministria maqedonase

Nga: K.G. Më: 21 maj 2026 Në ora: 15:13
Atmosfera

Çudi apo jo! 

Një ofensivë e madhe nga maqedonasit ndaj klubit më të suksesshëm shqiptar, Shkëndijës së Tetovës.

Mbrëmë mediumet maqedonase e sulmuan me tërë makinerinë, ndërsa sot paska dalur edhe Ministria e Sportit e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate zyrtare.

Kjo është e papranueshme të sulmohet një klub shqiptar.

Sipas Ministrisë, periudhën e fundit janë regjistruar disa incidente nga aktorë të ndryshëm të sportit – punëtorë sportivë, futbollistë, tifozë dhe klube – që, sipas tyre, dëmtojnë reputacionin e federatave, shtetit dhe vetë sportit.

“Ministria e Sportit e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër fishkëllimat ndaj himnit kombëtar nga ana e tifozëve të Shkëndija, por edhe më shumë na shqetëson sjellja e futbollistëve që refuzuan t’i pranojnë medaljet pas përfundimit të ndeshjes.

Në periudhën e fundit ka pasur disa ngjarje që vijnë nga palë të ndryshme (punëtorë sportivë, futbollistë, tifozë, klube), të cilat dëmtojnë imazhin e federatave, shtetit dhe në fund të sportit, në kundërshtim me atë që sporti duhet të përfaqësojë!

Dëshirojmë ta informojmë opinionin publik, por edhe të gjitha palët që janë të përfshira drejtpërdrejt apo tërthorazi në klube, se Ministria e Sportit ka nisur shqyrtimin e mundësisë për ndryshime në Ligjin për Sportin, me të cilat do të zgjerojmë kompetencat e shtetit me qëllim që dukuri të tilla të sanksionohen seriozisht.

Dënimet do të lidhen me përfitimin e ndihmës shtetërore, ndërsa si masë e fundit do të parashihet edhe procedurë për heqjen e licencave për veprimtari sportive, gjë që do të sillte humbjen e të drejtës për pjesëmarrje në kampionatin kombëtar.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje edhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë që ta ndryshojë rregulloren e saj, duke e bërë shumë më rigoroze në sanksionimin e shkeljeve të çdo lloji.

Në përputhje me të gjitha instrumentet juridike ndërkombëtare, për të cilat vendet e botës kanë arritur konsensus të përgjithshëm, dukuri të tilla dhe të ngjashme devijuese nuk duhet të bëhen pjesë e përditshmërisë në sport, përfshirë edhe sportin maqedonas dhe në këtë drejtim Ministria e Sportit do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat kombëtare dhe interesat e sportit.

Të gjithë, pa përjashtim, duhet t’i respektojnë rregullat e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe aktet e tjera ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sportin, rregullat e shteteve që sportin e kanë rregulluar të funksionojë në një kornizë ligjore me të gjitha elementet shtetërore dhe, sigurisht, rregullat e federatave kombëtare sportive që zbatojnë sistemin kombëtar të garave”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Sportit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat