Barcelona shton interesimin për Cambiaso-n nga Juventusi

Futboll

Barcelona shton interesimin për Cambiaso-n nga Juventusi

Më: 21 maj 2026 Në ora: 16:41
Andrea Cambiaso

Barcelona ka rikthyer vëmendjen te Andrea Cambiaso, teksa interesimi për mbrojtësin e Juventus duket se po kalon nga faza e vëzhgimit drejt kontakteve konkrete për një transferim të mundshëm gjatë javëve në vijim.

Anësori italian prej kohësh pëlqehet nga trajneri i katalanasve, Hansi Flick, i cili e konsideron Cambiason një profil të përshtatshëm për filozofinë e lojës së skuadrës falë fleksibilitetit taktik dhe aftësisë për të interpretuar disa role në fushë.

Tekniku gjerman, i cili së fundmi rinovoi kontratën me klubin deri në vitin 2028, e sheh futbollistin si një përforcim ideal për projektin sportiv të Barcelonës.

Sipas raportimeve, pas një kontakti fillestar me përfaqësuesit e lojtarit, pritet që Barcelona të ndërmarrë një hap më konkret me një ofertë zyrtare. Nga ana tjetër, drejtuesit e Juventusit, ndryshe nga qëndrimi i mbajtur një vit e gjysmë më parë ndaj interesimit të Manchester City, tashmë janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për mbrojtësin italian.

Situata financiare dhe sportive e klubit torinez mund të ndikojë ndjeshëm në vendim, sidomos në rast të mungesës së kualifikimit në edicionin e ardhshëm të UEFA Champions League, një skenar që konsiderohet gjithnjë e më i mundshëm.

Ndërsa në të kaluarën Juventus kishte kërkuar rreth 70 milionë euro për lojtarin, aktualisht vlera e transferimit mendohet të jetë rreth 50 milionë euro.

Cambiaso është i lidhur me Juventusin me kontratë deri në vitin 2029 dhe përfiton një pagë prej afro 2.5 milionë eurosh në sezon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat