Publiku i shumtë në stadiumin “Asim Ferhatoviq Hase” në Sarajevë mbeti pa parë gola në miqësoren mes Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut, që përfundoi me rezultat 0:0.
Futbollisti Visar Musliu u paraqit titullar e Imran Fetai, Agon Elezi nga minuta e 46-të, Ezgjan Alioski nga minutan e 69-të për Maqedoninë e Veriut.
Alioski u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 79-të e Musliu u zëvendësua në minutën e 86-të.
Rreth 30 mijë tifozë kishin ardhur për të përcjellë ndeshjen, por edhe pse Bosnja krijoi më shumë raste, nuk arriti të tundë rrjetën.
Nga ana tjetër, Maqedonia e pati shumë të vështirë të krijojë raste konkrete, duke treguar sërish mungesë kreativiteti në repartin ofensiv.
Maqedonia për të tretën ndeshje radhazi mbeti pa gol të shënuar. Në mesfushë u ndje dukshëm mungesa e Enis Bardhit. Kjo bëri që mbrojtja të kishte shumë punë, sidomos në krahë ku futbollistët boshnjakë krijuan vazhdimisht probleme, veçanërisht gjatë pjesës së parë.
Bosnja e nisi më mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e katërt ishte afër avantazhit. Alajbegoviq goditi traversën pas një aksioni të shpejtë nga krahu i majtë, duke paralajmëruar vështirësitë që do të kishte mbrojtja maqedonase. Bajraktareviq në të djathtë dhe Alajbegoviq në të majtë ishin vazhdimisht kërcënim për kundërshtarin.
Megjithatë, rasti më i mirë i Maqedonisë në gjithë takimin erdhi në minutën e 32-të pas një gabimi të madh të mbrojtësit Katiq. Bojan Miovski arriti të kalojë portierin Zlomisliq dhe dukej se topi po përfundonte në rrjetë, por Radeliq reagoi në momentin e fundit duke larguar topin nga vija fatale.
Ky rast si duket i zgjoi vendasit, të cilët deri në fund të pjesës së parë dominuan lojën dhe krijuan edhe disa raste të mira. Gigoviq provoi me një goditje që u ndal nga Dimitrievski, ndërsa më pas Bajraktareviq asistoi për Bajdarin, i cili me kokë goditi shtyllën.
Në fundin e pjesës së parë, Alajbegoviq u gjend në një tjetër rast të mirë pas një gabimi të Jankullovit, por Velkovski ndërhyri në momentin e fundit për të shpëtuar portën maqedonase.
Në pushim, Bosnja ndryshoi të gjithë formacionin, ndërsa selektori i Maqedonisë, Goce Sedlloski, bëri pesë zëvendësime. Edhe në pjesën e dytë vendasit kontrolluan më shumë topin dhe tentuan të gjenin golin e avantazhit, kryesisht nga aksionet anësore të Memiqit dhe Mahmiqit.
Një tjetër rast të mirë Bosnja e pati në minutën e 69-të kur Demiroviq provoi nga afër, por topi përfundoi pranë portës së Shishkovskit, i cili kishte hyrë si zëvendësues. Portieri maqedonas pati edhe një ndërhyrje jo të sigurt pas goditjes së Bashiqit, por mbrojtja arriti të evitojë rrezikun.
Deri në fund të takimit loja u qetësua dhe munguan rastet serioze në të dyja anët, duke bërë që sfida të mbyllej pa fitues dhe pa gola.