Gjermania – Kurasao, mega-favoriti përballë autsajderit total

Futboll

Gjermania – Kurasao, mega-favoriti përballë autsajderit total

Nga: K.G. Më: 14 qershor 2026 Në ora: 15:07
Nagelsmann

Ndeshja e parë e Grupit E në Kampionatin Botëror sjell përballjen mes njërit prej favoritëve për titull dhe një debutuesi absolut në skenën më të madhe të futbollit. Gjermania dhe Kurasao përballen sot nga ora 19:00 në Hjuston, në një duel ku në letër gjithçka duket e qartë.

Çdo rezultat tjetër përveç një fitoreje rutinë, bindëse dhe me shumë gola të Gjermanisë do të konsiderohej një zhgënjim i madh për “Panzerët”, të cilët në Shtetet e Bashkuara kanë ardhur me synime të mëdha.

Pas dy paraqitjeve zhgënjyese në Botërorët e Rusisë dhe Katarit, ku nuk arritën të kalojnë fazën e grupeve, gjermanët tashmë shihen si favoritë për një rrugëtim të gjatë.

Në formatin e ri të garës, ku tri skuadra kalojnë grupin, është e vështirë të imagjinohet që skuadra e trajnerit Julian Nagelsmann të dështojë, por objektivi nuk është vetëm kualifikimi — synimi është dominimi.

Gjermania pak ditë më parë kaloi një test serioz para Botërorit, duke mposhtur SHBA-në, një sukses që duket se i ka dhënë vetëbesim skuadrës.

“Ishte një test perfekt për ne, pikërisht ajo që kërkonim”, deklaroi Nagelsmann.

Gjermanët lanë përshtypje pozitive edhe në Kampionatin Evropian dy vite më parë, kur u eliminuan nga Spanja në fazën e 1/8 së finales. Megjithatë, duket se Nagelsmann është duke ndërtuar një ekip me identitet të qartë, ku rinia shihet si arma kryesore.

“Ende jemi në proces ndërtimi, por kur nis Botërori nuk ka më justifikime. Në një turne të madh kërkohen fitore, sidomos te një përfaqësuese si Gjermania. Të gjithë jemi bashkuar rreth idesë se na duhet suksesi”, shtoi ai.

Edhe pse Gjermania konsiderohet ndër favoritët për trofeun, selektori kërkon përqendrim maksimal që në ndeshjen e parë.

“Rruga deri në finale është e gjatë. Duhet të tregojmë seriozitet që nga ndeshja e parë, pavarësisht se përballë kemi një debutues”, tha ai.

Në prag të përballjes me Kurasao, në opinionin sportiv gjerman është hapur debat rreth rolit të Jamal Musiala në formacion.

Jürgen Klopp dhe Thomas Müller kanë sugjeruar që Musiala të nisë ndeshjen nga stoli, ide që nuk i ka pëlqyer legjendës së futbollit gjerman, Lothar Matthäus.

“U befasova kur lexova çfarë thanë Klopp dhe Müller. Pse duhet të luajë Deniz Undav para Musialës në ndeshjen e parë? Nëse Gjermania dëshiron rezultat të mirë në Botëror, duhet të mbështetet te cilësitë e Jamalit. Selektori duhet t’i tregojë besim menjëherë dhe t’i japë minuta”, u shpreh Matthäus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat