Pushimi i Antonio Kontes nga futbolli mund të përfundojë më herët nga sa pritej. Mançester Junajtidi raportohet se po e konsideron trajnerin italian si një alternativë për stolin, në rast se vendos të ndahet nga Majkëll Karriku.
Sipas “Corriere della Sera”, Konte është në krye të listës së drejtuesve të klubit anglez.
“Djajtë e Kuq” kanë grumbulluar vetëm katër pikë në katër javët e para të Premier Ligës, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e Karrikut.
Trajneri anglez firmosi vetëm pak muaj më parë një kontratë të re, që e mban në detyrë deri në qershor 2029. Ai mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Ruben Amorimit në janar dhe arriti ta çonte Junajtidin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, eksperienca dhe trofetë e shumtë të Kontes po tërheqin vëmendjen e drejtuesve të klubit. Italiani është pa skuadër që nga maji, kur ndërpreu kontratën me Napolin, një vit para përfundimit të saj.
Sipas raportimeve, Konte do të pranonte të rikthehej në punë vetëm për një klub të madh dhe një projekt që përputhet me ambiciet e tij. Kjo e bën Mançester Junajtidin një opsion të mundshëm, nëse situata në “Old Trafford” ndryshon.
Situata mund të ketë ndikim edhe te Juventusi.
Trajneri aktual, Luçiano Spaleti, po përballet me presion pas një starti zhgënjyes të sezonit. Spaleti ka kontratë me Juventusin deri në qershor 2028 dhe këtë javë ka marrë mbështetje publike nga drejtuesit e klubit. Megjithatë, një pjesë e tifozëve do ta mirëprisnin rikthimin e Kontes në Torino.