Edhe 48 orë dhe Juventusi do të mbyllë zyrtarisht çështjen e portierit, e cila u hap pas dëmtimit të Grabaras. Bardhezinjtë kanë nevojë për një portier të ri për t’iu bashkuar Vikarios, ndërsa Karnevali, së bashku me drejtorin sportiv Masara, po shqyrton disa pista.
Një prej tyre të çon drejtpërdrejt te Norberto Neto, ish-portieri i Juventusit, i cili aktualisht është lojtar i lirë pas aventurës në Brazil te Botafogo. Ai është preferenca kryesore, ndërsa 37-vjeçari është shprehur i gatshëm të pranojë një kontratë deri në vitin 2027, me një pagë të ulët.
Sigurisht, emrat në tavolinën e drejtuesve të Juventusit nuk mungojnë. Sipas Tuttosport, deri tani janë propozuar rreth dhjetë portierë. Mes tyre janë Kranjo, Gomis, Silesen, Bruno Varela, Serxhio Riko dhe Adam Stejskal, i cili sezonin e kaluar ishte titullar te WSG Tirol në Austri. Në listë është edhe Asmir Begovic, 39-vjeçari që sezonin e fundit e mbylli te Leister.
Masara e ka pasur më parë nën urdhra portierin me origjinë nga Bosnja, gjatë kohës së tij te Milani në vitin 2020. Ndërkohë, Juventusi po shikon edhe më tej dhe po përpiqet t’i paraprijë konkurrencës për Lorenzo Palmisani, portierin 22-vjeçar të Frosinones dhe të Kombëtares U21 të drejtuar nga Baldini.
Klubi nga Frosinone sapo ia ka rinovuar kontratën deri në vitin 2031, por në planet e “Zonjës së Vjetër” është ideja për ta siguruar që në janar, në funksion të sezonit të ardhshëm. Një operacion i ngjashëm me atë të Gati: mbrojtësi qendror u ble nga Frosinone në merkaton dimërore të vitit 2022 dhe iu bashkua Juventusit në fund të sezonit.