Pas 2 barazimeve radhazi në Superiore, Vora mposhti thellë 4:1 Partizanin, duke befasuar në javën e 7-të. Pas ndeshjes, foli për mediat “timonieri” i Vorës, Arjan Bellai:
“Jam i kënaqur dhe dua t’i falënderoj çunat. Jemi të përpiktë dhe shumë korrektë në detyra. Kisha marrë informacione për trajnerin rival dhe për ekipet që ka drejtuar.
U përgatitëm, por nuk i dija rotacionet që do të bënte te Partizani. Në pushimin mes pjesëve, besoj se i zgjidhëm problemet që kishim. E detyruam kundërshtarin të bënte lojë me topa të gjatë.
Gjithsesi, kjo qasje nuk ishte aq e lehtë për ne, pasi çdo gol që kemi pësuar nga ndeshjet e kaluara me kundërsulm bënte që barra t’i binte mbrojtjes.
Nuk ishte problemi te reparti i mbrojtjes, por te i gjithë ekipi në mbulim.
Një nga problemet që kishim para pushimeve nga ndeshjet e kombëtareve kishte të bënte me faktin se ne u linim shumë hapësirë kundërshtarëve në situatat një kundër një, duke mos i mbrojtur dhe dubluar. Kemi pasur paraqitje me ulje-ngritje. Pas ndeshjes me Skënderbeun, kemi një stabilizim.
Përgatitja e lojtarëve sot ishte për ‘notën 10’. Ua kam thënë edhe çunave, duhet ta mbajmë këtë fytyrë që kemi shfaqur në 3 ndeshjet e fundit. Të qëndrojmë me këmbë në tokë”.