Harry Kane shpallet fitues i “Topit të Artë”

Futboll

Harry Kane shpallet fitues i “Topit të Artë”

Nga: bota sot Më: 26 tetor 2026 Në ora: 20:52 Përditësuar në ora: 21:19 më 26.10.2026
Harry Kane me Topin e Artë 2026, pas shpalljes fitues në ceremoninë në Teatrin Palladium të Londrës

Shihet si favoriti kryesor, Kane arrin në tapetin e kuq të “Topit të Artë”

Ceremonia e “Topit të Artë” do të zhvillohet sonte.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ajo do të mbahet në Londër ku në të kaluarën ishte mbajtur në kryeqytetin francez, Paris.

Në këto çaste ka mbërritur edhe një nga favoritët kryesor të çmimit, Harry Kane në tapetin e kuq.

Mbetet të shihet se a do të arrijë që të fitojë këtë çmim.

Kush duhet ta fitojë Topin e Artë? “Unë”, thotë Figo

Legjenda portugeze e futbollit, Luis Figo, ka bërë shaka para ceremonisë së Topit të Artë në Londër, duke thënë se edhe ai duhet ta fitojë çmimin e vitit 2026.

Fituesi i Topit të Artë në vitin 2000, në një prononcim për DAZN, ka thënë se të gjithë të nominuarit e meritojnë trofeun, secili për arsye të ndryshme.

“Është një pyetje e vështirë.

Të gjithë të nominuarit e meritojnë Topin e Artë, secili për arsye të ndryshme. Për fatin tim, nuk jam pjesë e votimit, kështu që nuk e kam atë problem dhe as atë presion”, ka deklaruar Figo me humor.

Del lista edhe e meshkujve për “Topin e Artë”

Listat e renditjeve përfundimtare të “Topit të Artë” nga vendi i 30-të e deri te i 11-ti po publikohen në këto momente.

Fillimisht u publikua ajo e femrave, teksa tani po publikohen dalëngadalë edhe ato të meshkujve.

Vendet janë siç vijojnë:

11: Jude Bellingham

12: Pau Cubarsi

13: Achraf Hakimi

14: Vitinha

15: Declan Rice

Gafa fatale para ceremonisë së Topit të Artë 2026, faqja zyrtare publikon gabimisht tre fitues të ndryshëm

Faqja zyrtare e çmimit prestigjioz ka publikuar gabimisht artikuj që shpallnin tre futbollistë të ndryshëm si fitues të edicionit të këtij viti: Harry Kane, Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal.

Artikujt u shfaqën në faqen e organizatorëve rreth dy orë e gjysmë përpara nisjes së ceremonisë në London Palladium, duke shkaktuar menjëherë spekulime se fituesi i çmimit më të rëndësishëm individual në futboll ishte zbuluar para kohe.

Njëri prej artikujve mbante titullin “Harry Kane fiton Topin e Artë 2026”, duke vënë në pah sezonin e shkëlqyer të sulmuesit të Bayern Munich dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme para portës.

Një tjetër artikull shpallte Lamine Yamal fitues, duke pretenduar se ylli i Barcelonës ishte bërë futbollisti më i ri në histori që fiton këtë çmim. Ndërkohë, një artikull i tretë i atribuonte triumfin Kylian Mbappés, duke vlerësuar vazhdimësinë dhe paraqitjet e tij në nivelet më të larta të futbollit.

Pas publikimit, të tre artikujt u hoqën nga faqja zyrtare. Megjithatë, pamjet e tyre kishin nisur tashmë të shpërndaheshin në rrjetet sociale, duke shtuar konfuzionin dhe diskutimet mes tifozëve.

Deri në shpalljen zyrtare, nuk ka konfirmim se ndonjëri prej këtyre tre futbollistëve është fituesi i Topit të Artë 2026. Publikimi i artikujve duket të ketë qenë një gabim në faqen e organizatorëve dhe nuk përbën konfirmim të rezultatit përfundimtar.

Tre futbollistët e përfshirë në këtë incident janë gjithashtu ndër emrat më të përfolur për çmimin e këtij viti.

Harry Kane synon të bëhet anglezi i parë që fiton Topin e Artë që prej Michael Owen, i cili e fitoi trofeun në vitin 2001.

Nga ana tjetër, Lamine Yamal, vetëm 19 vjeç, ka mundësinë të shkruajë historinë duke u bërë fituesi më i ri i çmimit në historinë e tij 70-vjeçare.

Kylian Mbappé, ndërkohë, kërkon Topin e parë të Artë në karrierën e tij, pas një tjetër sezoni me paraqitje dhe gola të shumtë për klubin dhe kombëtaren.

Zbulohen dhjetë finalistët për Topin e Artë 2026, mes tyre Kane, Mbappe, Yamal, por edhe Messi

Janë zbuluar dhjetë finalistët që do të luftojnë për Topin e Artë 2026, çmimin më prestigjioz individual në futbollin botëror.

Në listën përfundimtare bëjnë pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit aktual, por edhe Lionel Messi, i cili vazhdon të jetë pjesë e garës për një tjetër vlerësim të rëndësishëm në karrierën e tij.

Dhjetë finalistët për Topin e Artë 2026 janë:

Ousmane Dembélé – Francë

Erling Haaland – Norvegji

Harry Kane – Angli

Khvicha Kvaratskhelia – Gjeorgji

Kylian Mbappé – Francë

Lionel Messi – Argjentinë

Michael Olise – Francë

Fabián Ruiz – Spanjë

Rodri – Spanjë

Lamine Yamal – Spanjë

Lista përfshin sulmues të njohur për aftësitë e tyre para portës, si Haaland, Kane dhe Mbappé, por edhe futbollistë që dallohen për kreativitetin dhe ndikimin në lojën e skuadrave të tyre, si Dembélé, Kvaratskhelia dhe Olise.

Në mesin e finalistëve është edhe Lamine Yamal, një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, ndërsa Rodri dhe Fabián Ruiz përfaqësojnë Spanjën në mesin e lojtarëve që shquhen për kontributin e tyre në mesfushë.

Vëmendje të veçantë merr edhe prania e Lionel Messit, fitues i shumëfishtë i këtij çmimi, i cili vazhdon të jetë një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e Topit të Artë.

Ceremonia e këtij edicioni po mbahet në “London Palladium”, në Londër, ku pritet të zbulohet fituesi i çmimit për vitin 2026. Përmes faqes zyrtare të Topit të Artë mund të ndiqet ceremonia, së bashku me analizat dhe të dhënat nga ngjarja.

Gara mes dhjetë finalistëve pritet të jetë një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes, ndërsa vëmendja e tifozëve është përqendruar te emri që do të shpallet fitues i Topit të Artë 2026.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat