Goli nga distanca nuk pranohet në Kosovë, reagon Fadil Gashi

Futboll

Goli nga distanca nuk pranohet në Kosovë, reagon Fadil Gashi

Nga: K.Goca Më: 29 tetor 2026 Në ora: 14:52
Pamje nga ndeshja

Çudi në futbollin e Kosovës! 

Një gol që nuk u pranua, ndonëse në pamjet filmike topi e ka kaluar vijën e portës.

Ky rast i diskutueshëm ka ndodhur në futbollin e grupmoshave në Kosovë, në ndeshjen e kadetëve mes Ballkanit dhe Rilindjes së Prishtinës.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i KF Rilindjes së Prishtinës, Fadil Gashi, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për mospranimin e golit.

“Dje zhvilluam ndeshjen e kadetëve kundër skuadrës së Superligës, Ballkanit.

KF Rilindja 1:2 Ballkani. Por, ajo që ndodhi në përfundim të ndeshjes është e papranueshme!

Skuadra jonë shënoi një eurogol të pastër, por gjyqtarët na e mohuan golin.

Kur e panë video-incizimin, pranuan se goli ishte i rregullt, duke u arsyetuar me fjalët: “Po, gol qenka, por ne nuk e kemi parë!”.

A mundet që tre gjyqtarë në fushë të mos e shohin një gol kaq të rëndësishëm dhe, me një arsyetim të tillë, të penalizojnë një skuadër të tërë?

Për çfarë janë gjyqtarët në fushë: për ta parë lojën dhe për të garantuar drejtësi, apo për të mos i parë momentet vendimtare?

Këto janë situata që e dëmtojnë futbollin tonë, ua shuajnë entuziazmin fëmijëve dhe e cenojnë besimin në drejtësinë sportive.

Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi, profesionalizëm dhe respekt për djersën e lojtarëve tanë!

Turp për gabime të tilla! Futbolli ka nevojë për drejtësi, jo për arsyetime’, - ka reaguar Fadil Gashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat