Cristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë kohën dhe të shkruajë histori në futbollin botëror. Ylli portugez ka regjistruar hat-trickun e 67-të në karrierën e tij profesionale, pas tre golave të shënuar në fitoren 5:3 të Al-Nassr ndaj Al-Kholood, më 30 tetor.
Me këtë tregolësh, Ronaldo ka arritur në kuotën e 985 golave në karrierën e tij dhe tani është vetëm 15 gola larg shifrës historike prej 1.000 realizimeve.
Sipas statistikave të publikuara nga Mateus Kogut Lessa de Sá, hat-trickun e parë në karrierë Ronaldo e kishte realizuar më 12 janar 2008, kur në fanellën e Manchester Unitedit kishte shënuar tri herë në fitoren 6:0 ndaj Newcastle Unitedit në Premier League.
Klubi ku portugezi ka realizuar më së shumti tregolësha është Real Madridi, me plot 44 të tillë gjatë periudhës gati dhjetëvjeçare në Santiago Bernabeu.
Pas klubit madrilen renditet Kombëtarja e Portugalisë me 10 hat-trick, ndërsa Al-Nassr zë vendin e tretë me shtatë. Manchester Unitedi dhe Juventusi kanë nga tre tregolësha të Ronaldos, kurse me Sportingun nuk kishte arritur të realizonte asnjë.
Ronaldo ka shkuar edhe përtej hat-trickut në 11 ndeshje të karrierës. Në nëntë raste ka shënuar nga katër gola, ndërsa në dy takime ka realizuar nga pesë.
Këto dy paraqitje historike erdhën në vitin 2015, kur shënoi pesë gola në fitoren 9:1 të Real Madridit ndaj Granadas dhe pesë të tjerë në triumfin 6:0 kundër Espanyolit.
Viti 2011 mbetet më i suksesshmi për Ronaldon sa u përket hat-trickëve, me nëntë të realizuar. Pas tij vijnë vitet 2013 dhe 2015, me nga tetë tregolësha, ndërsa në vitin 2016 kishte regjistruar shtatë.
Një tjetër statistikë mbresëlënëse është vazhdimësia e tij, pasi Ronaldo kishte realizuar të paktën një hat-trick në secilin vit nga 2010 deri më 2024, duke regjistruar 15 vite radhazi me së paku një tregolësh.
Në moshën 41-vjeçare, portugezi vazhdon të ndjekë objektivin prej 1.000 golash, një shifër që tashmë duket gjithnjë e më pranë.