Granit Xhaka reagon ndaj tragjedisë në Spanjë, Mbappe dhe Nadal shprehin ngushëllime

Futboll

Granit Xhaka reagon ndaj tragjedisë në Spanjë, Mbappe dhe Nadal shprehin ngushëllime

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 16:05
Sulmuesi i Tenerifes, Jesus de Miguel, ndërron jetë si pasojë e një përplasjeje të rëndë gjatë një ndeshjeje kampionale

Futbollisti nga Kosova, Granit Xhaka, kapiteni i Sunderlandit dhe i kombëtares së Zvicrës, është prekur nga tragjedia që ndodhi në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Sulmuesi i Tenerifes, Jesus de Miguel, ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare, pas një përplasjeje të rëndë gjatë ndeshjes kundër FC Andorrës. Vdekja e tij ka tronditur thellë botën e futbollit dhe ka nxitur reagime të shumta nga klube, futbollistë dhe personalitete të sportit.

Vetëm pak orë pas lajmit tragjik, shumë klube dhe figura të njohura të futbollit spanjoll shprehën ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e futbollistit.

Granit Xhaka dhe Mbappé shprehin ngushëllimet

Përveç federatave dhe klubeve, ngushëllime për De Miguelin dhe familjen e tij kanë shprehur edhe shumë futbollistë.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, komentoi nën një postim të klubit CD Tenerife në Instagram, duke vendosur simbolin e dy duarve të bashkuara në shenjë ngushëllimi.

Ndërkaq, ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, publikoi një fotografi në historinë e tij në Instagram me mbishkrimin: «Dhimbje e madhe. Nuk kam fjalë».

Se vdekja e De Miguelit ka prekur edhe personalitete jashtë futbollit, e dëshmon reagimi i Rafael Nadalit.
Ish-tenisti spanjoll shpërndau lajmin për vdekjen e futbollistit në historinë e tij në Instagram dhe shkroi:

“Çfarë humbjeje e madhe... Ngushëllimet e mia dhe një përqafim shumë i fortë për familjen dhe miqtë e Jesús de Miguelit në këto momente të vështira. Jam me gjithë zemër pranë jush”.

Real Madridi mbajti një minutë heshtje para fillimit të stërvitjes, në nderim të futbollistit të ndjerë. 
Edhe Barcelona reagoi përmes një postimi në Instagram: “E kemi pritur me dhimbje të thellë lajmin tragjik për vdekjen e Jesus de Miguelit”.

FC Andorra, skuadra kundër së cilës De Miguel zhvilloi ndeshjen fatale, shprehu gjithashtu pikëllimin për humbjen e futbollistit.

Presidenti i klubit, ish-futbollisti i Barcelonës, Gerard Pique (39), reagoi përmes platformës X me fjalët: “Më vjen jashtëzakonisht keq, nga thellësia e zemrës”.

Anulohen ndeshje dhe mbahen minuta heshtjeje

Vdekja e futbollistit në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll pati ndikim edhe në zhvillimin e garave.
Federata Spanjolle e Futbollit anuloi ndeshjet e Kupës së Mbretit për meshkuj dhe Kupës së Mbretëreshës për femra, të parapara për mbrëmjen e së martës, si shenjë respekti dhe solidariteti.

Ndërkohë, UEFA njoftoi se në të gjitha ndeshjet e garave të saj gjatë kësaj jave do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të Jesus de Miguelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat