Koha e David De Geas te Fiorentina mund të jetë drejt fundit, pasi klubi italian tashmë ka nisur të shqyrtojë mundësitë për ta zëvendësuar ish-portierin e Manchester United.
Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesit e klubit kanë gjithnjë e më shumë dyshime për 36-vjeçarin, për shkak të gabimeve të tij gjatë këtij sezoni dhe pagës prej 3.5 milionë eurosh neto në vit.
Paolo Vanoli doli në mbrojtje të kapitenit të tij pas barazimit 2-2 me Juventusin të dielën, duke insistuar se De Gea nuk është problem për skuadrën.
Megjithatë, spanjolli mbajti përgjegjësi për golin e Gleison Bremerit në minutën e 66-të, kur fillimisht doli nga vija e portës për të ndërhyrë në një harkim, por më pas vendosi të qëndronte në vend.
De Gea ka bërë gabime edhe në ndeshjet ndaj Sassuolos, Comos, Genoas, Frosinones dhe Romës. Ndërhyrjet në harkime, që prej kohësh kanë qenë një nga dobësitë e tij, duket se janë përkeqësuar edhe më shumë me kalimin e viteve.
Portierët rezervë aktualë, Oliver Christensen dhe Luca Lezzerini, nuk shihen si zgjidhje afatgjata, ndërsa drejtori sportiv Fabio Paratici ka nisur të shikojë alternativa të tjera.
Opsioni i parë është Tommaso Martinelli. Portieri që është në pronësi të Fiorentinës aktualisht është i huazuar te Avellino, skuadër që garon në Serie B.
Klubi po shqyrton gjithashtu edhe tregun ndërkombëtar, ku njëri prej emrave që po lidhet me Fiorentinën është Santiago Beltrán i River Plate, i lindur në vitin 2004.
“Corriere dello Sport” beson se këta mund të jenë shtatë muajt e fundit të De Geas në Firence.