Adam Idah: Irlanda ka nxjerrë mësime nga përballja e fundit me Kosovën

Futboll

Adam Idah: Irlanda ka nxjerrë mësime nga përballja e fundit me Kosovën

Nga: B.S Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 14:37
Sulmuesi i Republikës së Irlandës, Adam Idah

Sulmuesi i Republikës së Irlandës, Adam Idah, beson se skuadra e tij ka nxjerrë mësime të rëndësishme nga përballja e fundit me Kosovën, në prag të ndeshjes së sontme mes dy kombëtareve në Dublin, në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Irlanda ishte mposhtur 1:0 në Prishtinë në muajin shtator, ndërsa tani i nevojitet fitorja për ta siguruar vendin e dytë në Grupin B3 dhe mundësinë për t'u promovuar në Ligën A përmes ndeshjeve të plejofit.

Në anën tjetër, një humbje mund ta rrezikojë Irlandën edhe me rënien në Ligën C.

Megjithatë, që kjo të ndodhë, përveç humbjes nga Kosova, nevojitet edhe fitorja e Izraelit ndaj Austrisë, e cila tashmë e ka siguruar promovimin”, shkruan media irlandeze “Rte”.

Idah tregoi se brenda skuadrës kanë diskutuar për mënyrën se si ishin paraqitur ndaj Kosovës në ndeshjen e parë dhe se tashmë kanë bërë ndryshime në qasjen e tyre.

“Kur luajtëm për herë të parë kundër Kosovës, ndoshta ishim paksa tepër të përqendruar në mbrojtje dhe nuk sulmuam aq sa kishim mundësi”, deklaroi Idah për “RTE Sport”.

“Në dy ndeshjet e fundit kemi sulmuar shumë më tepër dhe kemi arritur t'u tregojmë kundërshtarëve se për çfarë jemi të aftë. Unë, Troy dhe Jack bashkëpunojmë shumë mirë dhe këtë e dëshmojmë edhe në stërvitje.

Po e shijojmë këtë bashkëpunim dhe shpresojmë që të vazhdojmë me fitore”, shtoi sulmuesi irlandez.
Idah ka qenë titullar në katër nga pesë ndeshjet e Irlandës në Ligën e Kombeve gjatë kësaj vjeshte.

Ai ka shënuar kundër Izraelit, ndërsa në ndeshjen ndaj Austrisë në Dublin asistoi për golin e bukur të Troy Parrottit.

Ndeshja e vetme në të cilën nuk ishte titullar ishte pikërisht ajo në udhëtim ndaj Kosovës, ku u aktivizua nga banka rezervë në minutat e fundit.

Bashkëpunimi i tij me Parrottin po bëhet gjithnjë e më i mirë në përfaqësuesen A, ndonëse të dy kanë luajtur së bashku prej vitesh në ekipet e grupmoshave të Irlandës.

Idah: Me Parrottin kuptohemi vetëm me një shikim

Sulmuesi nga Corku vlerësoi se ardhja e Jack Moylanit i ka dhënë një dimension të ri lojës ofensive të Irlandës.

“Kam luajtur me Troy që kur kemi qenë 15-16 vjeç, prandaj mendoj se e dimë shumë mirë se çfarë do të bëjë tjetri. Mjafton të shikohemi në fushë dhe unë e di se çfarë vrapimi do të bëjë ai, ashtu siç e di edhe ai se çfarë do të bëj unë”, tha Idah.

“Ky rol na ndihmon shumë të dyve. Ai mund të luajë në atë pozitë, por edhe unë, kështu që mund të ndërrojmë pozitat gjatë ndeshjes. Është vërtet kënaqësi të luash në këtë mënyrë”, shtoi ai.

Idah pati fjalë të mëdha edhe për bashkëlojtarin Jack Moylan.

“Ai po kalon një formë fantastike. Në verë e pashë për herë të parë kur iu bashkua skuadrës. Ai ka treguar të njëjtën gjë: dëshirën për të shënuar gola, për ta marrë topin dhe për të krijuar raste.

Mendoj se kjo është diçka që na ka munguar gjatë dy viteve të fundit, një lojtar që mund ta kalojë kundërshtarin në duele një kundër një dhe të shënojë gola.

Ai ka qenë fantastik këtu, por edhe te klubi i tij. Meriton përgëzime, sepse ka qenë i shkëlqyer”, deklaroi sulmuesi irlandez.

Ëndrra për të luajtur në Kampionatin Evropian

Edhe pse Irlanda jo gjithmonë e ka trajtuar Ligën e Kombeve me seriozitetin e duhur, mundësia që i ofrohet në këtë edicion është shumë e rëndësishme.

Një fitore ndaj Kosovës do t'i hapte rrugën për të garuar me kombëtaret më të forta të Evropës pas Kampionatit të ardhshëm Evropian.

Po ashtu, triumfi do t'i ndihmonte Irlandës të siguronte një pozitë më të favorshme në vazon e shortit për kualifikimet e Euro 2028, ku Dublini do të jetë njëri prej qyteteve nikoqire.

Idah e konsideron këtë një motivim të madh.

“Është diçka për të cilën ëndërron që kur je fëmijë, të luash në Kampionatin Evropian.

Natyrisht, do të ishte e jashtëzakonshme të ishim pjesë e tij në Dublin. Kjo është diçka që duhet ta synojmë dhe për të cilën duhet të punojmë shumë.

Jam i sigurt se edhe i gjithë vendi do të merrte një motivim të madh dhe shpresojmë që të arrijmë të kualifikohemi”, përfundoi Adam Idah.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat