Blerta apo vajza e parë kampione e pikados në Kosovë, synon suksese tjera 

Sporti

Blerta apo vajza e parë kampione e pikados në Kosovë, synon suksese tjera 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 mars 2021 Në ora: 14:42
Blerta Tërpeza

Që nga viti i kaluar pikado është sport zyrtar në Republikën e Kosovës dhe zhvillohen edhe garat kampionale.

Kryetar i kësaj federata është Arben Sllovinja, ndërsa sekretare e përgjithshme Fjona Xhelili.  

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u organizua Kampionati i parë i Kosovës, ndërsa Blerta Tërpeza e klubit të Ferizaj, u stolis me titullin e kampionit të Kosovës.

Është vajza e parë që fitoi një titull kampioni në pikado në vendin tonë dhe e cila dihet krenare për këtë sukses. 

“Bota sot”: Në fund të vitit të kaluar u stolise me titullin e kampiones së Kosovës në pikado, e papritur?

Blerta Tërpeza: Për ata që nuk e njohin botën time sportive, mendojnë se është befasi. Natyrisht nuk është befasi por është si rezultat i talentit tim të kahershëm për këtë sport, po ashtu edhe punës sime.

“Bota sot”: Tingëllon paksa e çuditshme, për faktin se asnjëherë nuk e keni përmendur këtë sport sa keni qenë portiere e hendbollit në KH Kastrioti?

Blerta Tërpeza: Nuk ishte nevoja edhe ta përmendi sepse që nga viti i kaluar Kosova për herë të parë bëhet me federatë zyrtare dhe e organizon Kampionatin e Kosovës.

Nuk kishim edhe ku ta provonim veten, po fatmirësisht edhe Kosova tash e ka të regjistruar pikadon dhe e mira e të mirës është që jo vetëm unë por edhe shumë vajza tjera do ta tregojnë talentin e tyre, pse edhe mos të arrijmë suksese.

“Bota sot”: Synimet e Blertën?

Blerta Tërpeza: Paksa jam e lënduar por shpresoj se do të tejkaloj së shpejti këtë dhe do t’i kthehem garave. Normalisht që synoj tituj kampioni, pse edhe mos ta tregoj veten edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Bota sot”: Një kohë kampione në hendboll me Kastriotin e Ferizajt dhe Vushtrrinë, tani në pikado, a dallojnë shumë këto sporte?

Blerta Tërpeza: Tituj i kam arritur falë punës së përbashkët me bashkëlojtare në hendboll, ndërsa në pikado është sport individual.  Hendbolli dhe pikado dallojnë shumë.

Në hendboll duhet shumë angazhim e djersë që të derdhesh në fushë, ndërsa në pikado duhet përqendrim e saktësi! Po nuk e ke saktësinë, përfundon gjithçka, dështon. Në hendboll, nëse një lojtares nuk ia do, të tjerat të mbulojnë, në pikado është ndryshe.

“Bota sot”: Çfarë premtoni?
Blerta Tërpeza:
Nuk jam sportiste që premtoj shumë, e imja është të punoj edhe të korri suksese të reja, të fitoj tituj tjerë. Nuk premtoj, por me punë i realizoj të gjitha. Kam përkrahje të madhe, veçanërisht edhe nga ish bashkëlojtarja ime Vlora Jashari. Falënderoj edhe Federatën e Pikados së Kosovës, që po bën një punë të madhe dhe motivuese për ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat