Federata e Mundjes regjistron ankimimin në Gjykatën e Lozanës

Sporti

Federata e Mundjes regjistron ankimimin në Gjykatën e Lozanës

Më: 13 gusht 2024 Në ora: 21:21
Garuesit e mundjes

Shqipëria arriti rezultatin historik me dy medaljet e para në Lojrat Olimpike të Parisit. Por ky triumf mund të ishte akoma më I madh, nëse ndaj Çermen Valiev nuk do të bëhej një padrejtësi e madhe, siç pretendon Federata Shqiptare e Mundjes.

Kjo e fundit ka regjistruar zyrtarisht ankimimin në CAS, Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

ABC News mëson se regjistrimi është bërë në datën 11 gusht, pra vetëm një ditë pasi Valiev u mund në çerekfinalen e stilit të lirë për peshën deri në 75 kilogramë në “Paris 2024” nga mundësi nga Uzbekistani, Jamalov Razambek.

Ai fitoi 6-5 me pikë, falë një vendimi të dyshimtë të gjyqtarëve të ndeshjes në sekondat e fundit.

Presidenti Sahit Prizreni e denoncoi këtë fakt pas sfidës, ndërsa federata ka bërë lëvizjen zyrtare duke ankimuar rezultatin në CAS. Sipas ankesës, mundësit shqiptar Çermen Valiev I është mohuar e drejta për t’u kualifikuar dhe për të vazhduar garën për medaljen e artë.

Kjo do të jetë një betejë e vështirë në shkallën më të lartë të drejtësisë sportive, por gjithsesi e drejtë për të kërkuar diçka të mohuar.

Pas eliminimit në çerekfinale, mundësi shqiptar u ripeshkua në garë, duke fituar më pas medaljen e bronzit, e para olimpike në historinë e Shqipërisë.

Të njëjtin sukses përsëriti edhe mundësi tjetër, Islam Dudaev në peshën deri 65 kilogramë, duke e bërë akoma më triumfuese paraqitjen e skuadrës shqiptare në Lojrat Olimpike “Paris 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat