Naim Zeka: Me inate nuk arrihet askund! Enver Idrizi është mbret, Fehmi Mahalla ka rekordin e pathyeshëm

Sporti

Naim Zeka: Me inate nuk arrihet askund! Enver Idrizi është mbret, Fehmi Mahalla ka rekordin e pathyeshëm

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 shkurt 2026 Në ora: 15:14
Naim Zeka

Karateja e Kosovës ka dhënë shumë emra të spikatur ndër vite, sidomos në vitet e 80-ta. 

Padyshim, një emër që la gjurmë është edhe Naim Zeka, kampion i ish Jugosllavisë për juniorët në vitin 1982.

Zeka ka garuar në kategorinë 72 kg dhe ka qenë prej emrave më të spikatur të sportit të karatesë në atë periudhë. 

Ai ka folur për të gjitha nga pak.

Me krenari, Zeka flet për sukseset e Valon Bashës dhe ka edhe një porosi për karatenë e Kosovës, vetëm të bashkuar shkojnë përpara dhe jo me inate personale.

Ai ka befasuar edhe me fjalë për Enver Idrizin dhe Fehmi Mahallën. 

Për prof. Fahri Mahallën, thotë se është arkitekt i karatesë dhe falë tij karateja dhe kick-box-i janë zhvilluar në qytetin e Ferizajt.

Zeka edhe sot merret me sporte luftarake, është me zemër të madhe, burrë i fjalës, kudo i respektuar e i lartësuar për veprat e tij.

Me një fjalë, trajner i shquar.

“Bota sot”: Si e sheh karatenë në Ligën e Kosovës?

Naim Zeka: Sot e shoh karatenë si një të arritur të lartë nëpër turne internacionale, sidomos në garat internacionale kanë suksese të hatashme.

Mirëpo edhe politikat që i bëjnë udhëheqësit e karatesë në Kosovë nuk më pëlqejnë, nuk bien më një fjalë, nuk bashkohen për të triumfuar në arenën ndërkombëtare.

Potencial ka shumë, shumë të madh Kosova.

“Bota sot”: A mendoni se Kosovës i duhet një ligë e karatesë?

Naim Zeka: I duhet liga, për të zhvilluar eksperiencë. Aty është baza e suksesit dhe ngritjes së nivelit të lartë.

Së pari duhet që referët të mos jenë njëanshëm, sepse deri më tani ka pasur shumë raste të tilla.

Për shembull, në perëndim referi jep betimin dhe duhet të referojë drejt, jo me anuar.

Ne duam të prodhojmë kualitet dhe jo kuantitet. Me cilësi të lartë gjithmonë shkohet përpara.

“Bota sot”: Kemi disa karateistë që janë shkuar në Shqipëri?

Naim Zeka: Ajo është mëkat. Ju po e rrisni një fëmijë, po e zhvillon, po ia jep dikujt tjetër. Shqipëria ok, është nëna jonë.

“Bota sot”: Si e krahasoni me vitet e 80-ta kur keni qenë ju karateist kulmor, ka dallim cilësie me kohën e sotme?

Naim Zeka: Ka dallim cilësie.

Atëherë kemi dashtë me mposht kundërshtarin dhe referin edhe publikun.

Pavarësisht presionit, ne kemi triumfuar.

Ka qenë vështirë edhe për shkak të goditjeve më të forta dhe më shumë dhunë, por tash karateja është perfeksionuar, ka rregulla të reja dhe mbrojtëse; karateja është një shkencë fantastike. 

“Bota sot”: Ku gjendet Naim Zeka sot?

Naim Zeka: Gjendem në Bruksel. Unë jam anëtar i klubit Valon Team.

Jemi profesional. Valon Basha ka qenë nxënësi im në Ferizaj dhe ka qenë dy herë kampion bote në asociacionet më të forta në botë, dhe tani ai udhëheq klubin e tij, më të fortin në Evropë.

Bashkëpunojmë shumë me holandezët, çdo vikend vijnë tek ne dhe ne shkojmë tek ata. Valon Basha tash është orientuar në MMA, ka shumë garues që marrin pjesë, ka edhe në UFC, pra prej shkollës tonë që marrin pjesë në turne internacionale.

Përndryshe kemi shumë kampion të Evropës, botës, nënkuptohet në profesionalizëm.

“Bota sot”: Cili është interesimi i të rinjve që të merren me këtë sport në Bruksel?

Naim Zeka: Ka shumë shqiptarë dhe po arrijnë suksese të mëdha.

Më i ndritshmi është Berjan Peposhi, i cili merr pjesë në Glory dhe është i suksesshëm.

Gjenerata e re po vjen fuqishëm.

Në sallat tona flitet kryesisht shqip se gjuha frënge e ndonjë tjetër, por kemi nxënës nga 100 kombësi të tjera, është një bashkëpunim dhe harmoni fantastike, falë menaxhimit të shkëlqyer të Valon Bashës.

"Bota sot”: Cili ka qenë suksesi më i veçantë?

Naim Zeka: Më i veçanti është në Split, isha kampion i ish Jugosllavisë për junior.

Kam marrë pjesë në luftëra më fantastike, kam qenë kampion edhe i Dalmacisë.

Ka qenë konkurrenca e fortë. Kanë qenë luftëra të ashpra, por edhe atraktive për publikun.

“Bota sot”: A do t’i kthehen karatesë së Kosovës si trajner?

Naim Zeka: Kam dëshirë, mundësia është tjetër. Dëshirë kam. Unë rrij kontakt me sportistë.

“Bota sot”: Cila është porosia për komunitetin e karatesë?
Naim Zeka:
Në Kosovë duhet të merren vesh udhëheqësit.

Kam dëgjuar që dy-tre udhëheqësi nuk bien dakord, por duhet me rëndë dakord e me bashkëpunuar për të mirën e karatesë, jo me inate, se me inate nuk arrihet askund.

Duhet të punojnë bashkë, duhet me studiuar gjërat.

Karateja është shkencë, duhet me shkuar përpara, djemtë e ri mi motivuar e më punuar shumë dhe vetëm punë, jo gjërat anësore që nuk kanë lidhje me sport. Inatet personale nuk bien asgjë.

“Bota sot”: Në kohën tuaj, keni qenë në arenë edhe me Enveri Idrizin. Si e përshkruani si shqiptar?

Naim Zeka: Enver Idrizi është mbret i karatesë shqiptare, ka qenë me atraktivi në botë.

“Bota sot”: Po Fehmi Mahalla?

Naim Zeka: Fehmi Mahalla është një sportist i madh, i disiplinuar dhe idhull i imi.

Katër herë rresht ka fituar

“Paris Open”, një rekord i pathyeshëm, duke mposhtur kampionë të botës.

Është kampion evropian në vitin 2004, por Paris Open mbetet e papërsëritshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat