Kombëtarja e Zvicrës synon një tjetër medalje pas suksesit olimpik

Sporti

Kombëtarja e Zvicrës synon një tjetër medalje pas suksesit olimpik

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 19:31
Kombëtarja e Zvicrës në hokej për femra

Të premten, Kombëtarja e Zvicrës në hokej për femra do ta nisë Kampionatin Botëror me sfidën më të vështirë të mundshme, përballë kampiones së botës dhe kampiones olimpike, SHBA-së.

Dy ditë më vonë, zviceranet do të përballen me Çekinë, e cila renditet e treta në botë. Zvicra ka fituar vetëm dy nga 13 përballjet e fundit ndaj çekeve. Veçanërisht e dhimbshme ishte humbja 0:7 në çerekfinalen e Botërorit të kaluar, e cila u dha fund shpresave për medalje.

Për këtë arsye, pas fundjavës hapëse, vendimtare pritet të jenë përballjet me fqinjët, Austrinë, e cila merr pjesë për herë të parë në një Botëror të nivelit më të lartë pas promovimit, dhe Gjermaninë.

Dy fitore janë të domosdoshme nëse zviceranet dëshirojnë ta përfundojnë fazën e grupeve të paktën në vendin e tretë dhe të shmangin përballjen me Kanadanë, rekordmene e titujve botërorë, në çerekfinale. Në këtë mënyrë, shanset për të luftuar sërish për një medalje do të rriteshin ndjeshëm.

Synimi, t'i japin fund pritjes 14-vjeçare

Situata është krejtësisht ndryshe nga ajo e një viti më parë. Në shkurt, përfaqësuesja zvicerane fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike në Milano, duke u ngjitur në vendin e katërt të renditjes botërore.

Si rrjedhojë, janë rritur edhe pritshmëritë. “Besoj se çdo sportiste që merr pjesë në një garë të madhe synon të fitojë medalje. Nëse nuk e dëshiron këtë, atëherë nuk ke pse të shkosh fare”, deklaroi së fundmi portierja Andrea Brändli për emisionin “Sportpanorama”.

Megjithatë, medalja e vetme e Zvicrës në Kampionatin Botëror daton 14 vjet më parë. Në vitin 2012, zviceranet fituan medaljen e bronztë në Burlington. Që atëherë, ato kanë dështuar disa herë në ndeshjen për vendin e tretë, ndërsa në dy kampionatet e fundit u eliminuan që në çerekfinale.

Për Shannon Miller, ky do të jetë Botërori i parë në krye të përfaqësueses zvicerane. Trajnerja kanadeze mori drejtimin e ekipit pas Lojërave Olimpike, duke zëvendësuar Colin Mullerin.

Pas një fillimi premtues, me fitore ndaj Finlandës dhe Suedisë, zviceranet patën vështirësi në ndeshjet e fundit. Nga shtatë takimet pasuese, ato fituan vetëm një dhe shënuan gjithsej vetëm gjashtë gola.

Mungon një nga shtyllat kryesore të ekipit

Një goditje e rëndë për përfaqësuesen zvicerane është mungesa e kapitenes Lara Stalder. Sulmuesja 32-vjeçare, e cila me 217 paraqitje është lojtarja më me përvojë e ekipit, do të mungojë për shkak të një lëndimi në gju.

“Për të gjitha ne nuk ishte aspak e lehtë”, deklaroi Alessia Baechler.

21-vjeçarja, e cila do të marrë pjesë në Kampionatin e saj të pestë Botëror, e di rëndësinë që ka Stalder për ekipin.

“Lara ka një rol shumë të rëndësishëm në skuadër. Ne do të përpiqemi ta kompensojmë mungesën e saj sa më mirë që të jetë e mundur”, theksoi Baechler.

Nga 23 lojtaret që fituan medaljen e bronztë olimpike në shkurt, vetëm 14 janë pjesë e listës për Kampionatin Botëror. Ekipi prej 25 lojtareve përbëhet nga një kombinim i talenteve të reja dhe lojtareve me përvojë ndërkombëtare.

Nëntë prej tyre aktivizohen në Amerikën e Veriut, ndërsa katër luajnë në Ligën Profesioniste të Hokejit për Femra (PWHL), e cila konsiderohet liga më e fortë në botë për femra.

Përbërja e Zvicrës premton shumë

Me Andrea Brändlin dhe Saskia Maurer, Zvicra ka në dispozicion dy portiere të nivelit botëror. Në ekip bëjnë pjesë edhe Alina Müller, njëra prej sulmueseve më të mira në botë, si dhe mbrojtësja Nicole Vallario.

Pesë lojtare të tjera aktivizohen në kampionatin universitar amerikan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat