Hasanin nuk po e fusin vetëm për një arsye

Futboll

Hasanin nuk po e fusin vetëm për një arsye

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 16:54
Hasanin nuk po e fusin vetëm për një arsye

Ndeshjet e javës së 19 të Superiores kanë ardhur me një imazh të shëmtuar që i përket ndeshjes Bylis-Laçi. Grushtat dhe shkelmat e kanë kthyer këtë ndeshje futbolli që të duket si një përballje në “MMA”. Nuabueze do të merrte rolin e boksierit në fushën e lojës për të degjeneruar të gjithë situatën, ndërsa në sherr janë përfshirë të gjithë futbollistët.

Arbitri do ta ndëshkonte me karton të kuq së bashku me Carkanjin, por vendimi i vërtetë i dënimit me “dorë të hekurt” do të vijë nga Disiplina, atje ku sulmuesi i Laçit rrezikon seriozisht që ta ketë mbyllur kampionatin para kohe. Sa për të përmbyllur kronikën, kjo ndeshje po vendoset me golin e Malotës në minutën e 70.

Nga krahu tjetër është Vllaznia që kthehet te fitorja duke fituar në shifrat 1-0 kundër Apolonisë. Zëvendësuesi i Adilit, Shehi, ka marrrë rolin e heroit duke shënuar me kokë. Kukësi do të fitonte ndeshjen me të rëndësishme të javës ndaj Tiranës në shifrat 2-0, falë penalltisë në minutat e para që u kthye në gol nga ana e Ibrahimit, ndërsa Limaj dhuroi perlën në minutat e fundit të takimit. Ndërkohë që Partizani nuk lë vend për shumë histori me krutanët duke triumfuar në shifrat 0-3. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Daja (Partizani): “Kemi bërë një pjesë të mirë, por ajo që kemi bërë gabim ishte se sulmuesit tanë lëviznin në zona me kapjen e hapësirës në tërheqje. Për fushën kemi menduar se do të ishte akoma më keq se kaq, duke përgatitur topat e gjatë. Ishim përgatitur për këto kushtet të vështirë të motit. Ne kemi cilësi edhe në pankinë tani. Sa i përket Hasanit dihen vlerat e tij, por ajo që na ngurtëson disi është koha e mbarimit të kampionatit ku ka qenë, ka 4 muaj që ka mbaruar aktiviteti atje. Nuk duam që ta hedhim në fushë pasi mund të dëmtohet me terrenin e vështirë që është në këto kohë. Duam që ta fusim në fushë në momentin më të mirë pasi është luks për kampionatin shqiptar.

Shehi (Tirana): “Na ka penguar shumë terreni pasi kemi lojtarë kualitativ që nuk mund të shpreheshin. Kjo ishte ndeshje e vendosur nga episodet dhe Kukësi ishte me fat që fitoi duke i shfrytëzuar. Ky është futbolli dhe ne duhet të pranojmë verdiktin. Sot ishte një terren anormal dhe futbollistët tanë nuk mund të shpreheshin siç duhej. Episodi mund të evitohej në golin e parë. Na vjen keq që u ndëshkuam në atë mënyrë, por nuk kthejmë dot mbrapa më asgjë. Keqardhje e madhe pasi lojtarët tanë dhanë maksimumin e tyre. Gabimi i Bekajt në dalje? Janë gjëra që ndodhin pasi llogaritja në këtë terren është e vështirë. Bekaj është portieri i Kosovës dhe më i miri në Superiore”.

Bradriç (Vllaznia): “Faleminderit për urimet. Në 19 ndeshje ne kemi marrë 40 pikë. Është e pabesueshme kjo për ekipin tonë pasi erdhëm nga sezoni i fundit që ishim në “Play-Out”. Jemi duke kryesuar kampionatin dhe ky është shpërblimi i punës sonë. Pjesa e parë me Apoloninë nuk ishte e mirë për disa arsye. Terreni ishte i vështirë, po luanim kundër erës dhe kundërshtari nuk kishte se çfarë të humbiste. Kritikat? Natyrisht që të gjithë na ndjekin ne dhe kjo nuk është e lehtë, duhet të mësohemi”.

Josa (Kukësi): “Nuk ishte një ndeshje e veçantë për mua, por vetëm tre pikët e radhës që i kishim shumë të nevojshme. Nuk ishim në lartësinë tonë, por u përshtatëm shumë mirë me terrenin, kishim luftën sportive që ndaj Kastriotit ishte minimale. Futbollistët tanë ishin shumë efikas në momentin që kishin në zotërim topin. I dhamë disi terren Tiranës duke u tërhequr dhe mund të shënonin. Normalisht që Tirana do të sulmonte, pasi ka luajtur kualitativ.

Por nëse do të kishim më shumë qetësi, një pasim më të mirë në mesfushë, mund të shënonim më tepër. Humbnim lehtë topin dhe u krijua hendek mes sulmuesëve dhe mesfushës. Objektivi? Kjo fitore nuk rregullon në çdo gjë. Nuk mund të them se ardhja ime në ekip i ndryshon objektivin skuadrës. Nuk kemi pikët që do të donim pasi janë bërë disa hapa fals, që janë në kundërshtim për t’u shpallur kampion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat