Vllaznia kryesuese kërkon fitoren në Korçë

Futboll

Vllaznia kryesuese kërkon fitoren në Korçë

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 11:21
Vllaznia kryesuese kërkon fitoren në Korçë

Vllaznia kryesuese kërkon fitoren në Korçë, për të rivendosur distancën e sigurisë. Me Teutën e Laçin që fituan sërish dje dhe shkuan vetëm 4 pikë larg kreut, shkodranët janë të detyruar të fitojnë sfidën e mesditës së sotme në transfertë ndaj vendit të fundit, Skënderbeut.

Shkodranët do të kenë plot 4 mungesa nga formacioni titullar, por kanë rikuperuar në kohë mbrojtësin lider të skuadrës, Mevlan Adili dhe ndaj korçarëve të vendit të fundit, janë favoritë për të marrë tre pikët.

Nga ana tjetër Skënderbeu nuk reagoi as me Migen Memellin në pankinë dhe po shfaq probleme të shumta si në repartin e mbrojtjes, ashtu edhe atë të sulmit, ku nuk ka shënuar që nga ndeshja me Laçin.

Krye-ndeshja e javës së 20-ë është ajo mes Partizanit e Kukësit, e planifikuar për t’u luajtur në orën 16:00 në impiantin “Elbasan Aena”. Të dy skuadrat gëzojnë një formë mjaft të mirë dhe kanë organika nga më cilësoret në kampionat, ndaj 90-minutëshi i sotëm pritet të jetë i luftuar dhe i hapur deri në fund.

Në dy përballjet e fazës së parë nuk ka pasur histori, pasi “të kuqtë” ia kanë dalë të marrin maksimumin e pikëve, por verilindorët duken një tjetër skuadër me një ekspert si Mirel Josa në pankinë dhe këtë e treguan edhe fundjavën e kaluar ndaj Tiranës.

Të dy sfidat do të transmetohen live në ekranin e Supersport, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar Kategorisë Superiore “Gol pas Goli”, me të ftuarit analistë e gazetarë që do të sjellin komentet e intervistat e protagonistëve para e pas ndeshjeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat