Gjyqtari shqiptar Jorgji kryesori i ndeshjes Kosovë – Lituani

Futboll

Gjyqtari shqiptar Jorgji kryesori i ndeshjes Kosovë – Lituani

Më: 24 mars 2021 Në ora: 15:20
Gjyqtari shqiptar Jorgji kryesori i ndeshjes Kosovë – Lituani

Enea Jorgji është caktuar nga UEFA si gjyqtar kryesor për ndeshjen miqësore mes Kosovës dhe Lituanisë sonte në Prishtinë.

Enea, gjyqtari i FIFA-s që prej vitit 2012, gjykon në Superligën e Shqipërisë dhe ka përvojë edhe në disa ndeshje zyrtare në Ligën e Kombeve dhe në kualifikime për Ligën e Evropës.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri në orën 20:45, në atë që shihet si një mundësi shumë e mirë për trajnerin e Kosovës Bernard Challandes për të parë se ku qëndron ekipi i tij para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës këtë muaj.

Verdhekaltrit u grumbulluan të hënën në kryeqytet, për herë të parë që prej nëntorit kur e mbyllën një fushatë zhgënjyese në vendin e parafundit në grup në Ligën e Kombeve.

Por për dallim nga atëherë kur skuadra ishte e përgjysmuar shkaku i mungesës së lojtarëve kyçë, këtë herë Challandes i ka në dispozicion të gjithë lojtarët e tij më të mirë.

Trajneri zviceran nuk ka pasur kohë ta stërvitë ekipin mjaftueshëm para këtij takimi miqësor, megjithatë, për shkak se bora e dendur e bëri ta pamundur përdorimin e fushës në “Fadil Vokrri”.

Kapiteni Amir Rrahmani i lënduar dhe portieri i parë Aro Muric, i përjashtuar nga Kombëtarja mungesë disipline, do të mungojë sigurt në këtë takim.

Katër ditë pas kësaj ndeshjeje, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e kombëtares.

Verdhekaltrit do të jenë nikoqir të Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit të dielën më 28 mars në Prishtinë, në ndeshjen hapëse kualifikueset e Botërorit Katari 2022.

Tri ditë më vonë, Kosova do të udhëtojë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën.

Përveç Spanjës dhe Suedisë, Kosova është në grup edhe me Gjeorgjinë dhe Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat