Me apo pa Champions, Gattuso pritet të lërë pankinën e Napolit

Futboll

Me apo pa Champions, Gattuso pritet të lërë pankinën e Napolit

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:00
Me apo pa Champions, Gattuso pritet të lërë pankinën e Napolit

Me apo pa Champions, Gennaro Gattuso pritet të lërë pankinën e Napolit në fund të sezonit, kohë kur i përfundon edhe kontrata, pasi presidenti De Laurentiis nuk i ka ofruar zgjatje të bashkëpunimit.

Prej muajsh palët janë ftohur në qëndrimet ndaj njëri-tjetrit dhe kjo nuk është më një sekret, ndërsa në Itali janë të bindur që sezonin e ardhshëm Gattuso do të jetë sërish duke drejtuar në Serinë A.

Bëhet fjalë për klubin e Fiorentinës, që deri në fund të sezonit do të drejtohet nga Iachini dhe më pas në fillim të verës presidenti Rocco Commisso ka vendosur t’ia besojë pankinën pikërisht Gattusos.

Si numri një i klubit vjollcë, ashtu edhe ish mesfushori i Milanit, kanë të përbashkët origjinën kalabreze dhe Commisso nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për Gattuson, ndaj palët pritet të bëhen bashkë për sezonin e ardhshëm, me synimin për të ndërtuar një Fiorentinë që nuk lufton më për mbijetesë, por për një vend në zonën europiane.

Ndërkohë presidenti i Napolit Aurelio De Laurentiis dhe drejtori sportiv Giuntoli po mendojnë që tani për emrin që do t’i besojnë drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm dhe në krye të listës është tekniku aktual i Empolit, Dionisi.

Ky i fundit po udhëheq toskanët drejt rikthimit në Serinë A, nëpërmjet një futbolli spektakolar, ndërsa te Napoli besojnë se Dionisi mund të përsërisë Sarrin, i cili gjithashtu erdhi nga Empoli në verën e 2015-ës.

Megjithatë e vetmja mangësi e Alessio Dionisit është eksperienca në nivele të larta, ndaj drejtuesit e Napolit po studiojnë edhe alternativën Paulo Fonseca, me portugezin që mund të lërë Romën në fund të sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat