Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së Maqedonisë së Veriut

Futboll

Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së Maqedonisë së Veriut

Më: 16 prill 2021 Në ora: 20:26
Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së Maqedonisë së Veriut

Pesë gola në katër ndeshjet e fundit për Besart Ibraimin që me 19 realizime hapëron drejt “Këpucës së Artë” numër 4 në elitën vendore.

Shkëndija me 13-të pikë para Shkupit hyn në 6-të ndeshjet e fundit kampionale dhe distanca e krijuar premton së shpejti të mbyllet edhe matematikisht gara për titullin e kampionit. Kuqezinjtë presin trofeun e 4 kampionë shtetërorë, ndërsa paralel me titullin në taborin kuqezi pritet të vijë edhe një tjetër çmim individual me numrin 4. Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së Maqedonisë së Veriut dhe në historinë e Shkëndijës, duket pranë çmimit “Këpuca e Artë” në LPFMV.

Kërçovari deri tani tre herë ka dalë golashënuesi më i mirë i sezonit në elitën vendore, ndërsa edhe këtë sezon udhëheq listën e golashënuesve me 19 realizime në 27 xhiro të zhvilluara. Bomberi kishte një periudhe krize duke mos gjetur rrjetën në 7-të ndeshje me radhë, mirëpo duket se kthehet në formë në momentin e duhur duke shënuar në vazhdimësi në katër ndeshjet e fundit gjatë të cilave ka gjetur 5 gola. 

“Sigurisht se ndjehem mirë për faktin që sërish kam gjetur marrëdhënien e mirë me golin dhe në katër ndeshjet e fundit kam shënuar në vazhdimësi.

Gjithmonë në plan të parë është efekti kolektiv, por duke qenë se nga unë edhe priten golat, natyrisht jam i lumtur që sërish po bëj detyrën time në nivelin e dëshiruar”, thotë Besart Ibraimi, i cili abstenimit prej 7-ndeshjeve pa gol i’u përgjigj me dy gola dhe dy asiste në fitoren 6:1 në fushë të Vardarit, pastaj bëri golin e fitores 2:1 ndaj Sileksit, para se të shënonte golin e parë në fitoren 3:0 të dielën e shkuar ndaj Renovës.

Ndërkohë serinë e realizimeve e vazhdoi edhe të mërkurën, kur pikërisht goli i tij solli tre pikë nga dueli me Akademia Pandevin. 

“Nuk jam në moshë kur mungesa e përvojës do më krijonte presion për mungesën e golit, pasi një sulmues edhe kur nuk shënon nuk do të thotë se nuk ndihmon skuadrën me paraqitjen e tij. Për sa kohë që s’kam shënuar dhe ndërkohë ekipi ka fituar, mendoj se jemi ok si kolektiv. Natyrisht kam punuar shumë që të kthehem të shënoj, pasi ekipi ka nevojë për secilin nga ne dhe jam i lumtur që ja sërish gjërat shkojnë sipas planit”.

Golat e Ibraimit vijnë në moment të duhur, pasi pikërisht tani kampionati ka hyrë në fazë vendimtare dhe kuqezinjtë vazhdojnë me fitore duke shkuar drejt sigurimit të titullit kampion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat