Shehi: Është hera e parë që distanca na lejon të kemi në dorë vetë situatën

Futboll

Shehi: Është hera e parë që distanca na lejon të kemi në dorë vetë situatën

Më: 16 maj 2021 Në ora: 12:21
Shehi: Është hera e parë që distanca na lejon të kemi në dorë vetë situatën

Tirana luan nesër një përballje direkte për Kupat e Europës teksa pret në shtëpi Laçin. Në konferencë për shtyp, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi thekson se në Shqipëri tashmë ka rënë miti i fushës, ndërsa tregon se mungesa e Torasës në këtë ndeshje të rëndësishme, është fatura e derbit ndaj Partizanit.

“Gjithë opinioni futbollistik e konsideronte favorit për fitimin e titullit dhe kështu është në të vërtetë. Janë një skuadër shumë e fortë dhe në këto momente janë rivali ynë për një vend në Europë. Kur luan ndaj një rivali direkt duhet të kesh shumë kujdes dhe të interpretosh mirë këtë “finale”.

Ne kemi fituar në Laç dhe ata në Tiranë? Nuk është e çuditshme sepse ata kanë lojtarë me kualitet të lartë. Miti i fushës në Shqipëri ka rënë, nuk më shumë e vështirë të fitosh në fushë kundërshtare. Të dyja skuadrat kanë terren të mirë për të luajtur, kështu që nuk është çudi të fitosh atje dhe të humbësh këtu.

Vijmë pas një ndeshje të mirë në derbi, sigurisht që kemi shpenzuar shumë energji sepse derbi është i tillë. kërkon impenjim fizik maksimal dhe tani përballemi me një kundërshtar po aq të mirë sa Partizani. Çfarë duhet të bëjmë më mirë? Mendoj se duhet të vazhdojmë ecurinë e javëve të fundit.

Të jemi sa më konkretë sepse nuk ka më mundësi për të shlyer gabimet. Derbi na dëmtoi Torassan, që nuk do të jetë nesër për shkak dëmtimi në derbi, kur doli nga loja. Ky është dëmi që na solli derbi. Nëse fitojmë me Laçin, hedhim hap të rëndësishëm sepse i barazojmë me pikë, por mbeten edhe dy javë të tjera që kërkojmë impenjim sepse çudirat në këtë kampionat nuk kanë fund.

Edhe ato skuadra që konsiderohen të lehta në letër, të marrin pikët dhe nis e qan pastaj. Teuta apo Partizani për titullin? Nëse nuk do luanim në të njëjtin orar, do përgjigjesha, por luajmë në një orar dhe jam i përqendruar te ndeshja jonë.

Aty është përqendrimi ynë dhe nuk duam të dimë ç’bëjnë të tjerët. Është hera e parë që distanca na lejon të kemi në dorë vetë situatën, pas gjithë diferencës që kemi pasur. Po të fitojmë, ngjitemi lart dhe jemi të përqendruar maksimalisht në këtë takim”, u shpreh Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat